Real Madrid ka fituar derbin më të madh në botën e futbollit.
Skuadra e Carlo Ancelotti, Real Madrid ka marrë një fitore pa shumë telashe kundër Barcelonës së Xavi Hernandez, me rezultatin 3:1, shkruan lajmi.net.
‘Mbretërit’ dolën në avantazh qysh në minutën e 12’, kur Toni Kroos nxjerri përpara Vinicius Jr. Goditja e brazilianit u prit nga Ter Stegen por topi i kthyer te Benzema përfundoi në rrjetë nga francezi.
Barca tentoi të barazonte rezultatin dhe humbi mundësi të artë me Robert Lewandowski. Kjo u dënua në minutën e 35’ nga Fede Valverde që çoi shifrat në 2:0.
Në pjesën e dytë, Reali ishte më i tërhequr dhe e la Barcelonën të luante më shumë me topin. Katalanët ngushtuan epërsinë në 2:1 në minutën e 83’, kur pas një depërtimi të Ansu Fati, një top në zonë e gjeti Ferran Torres. Ky i fundit dërgoi lehtë topin në rrjetë.
Kur Barca ishte në ritmin më të mirë, duke kërkuar barazimin, Rodrygo fitoi një penallti. Atë e konvertoi vet në gol në minutën e 90+1’, për t’i dhënë fund dilemës për fituesin.
Real Madrid tani shkon në 25 pikë me këtë fitore dhe mban pozitën e parë, me tri pikë më shumë sesa Barcelona.