Rebalanci i plotësuar me amendamente në Parlament, debati këtë javë

Rebalanci i plotësuar me amendamentet dhe me debat të komisionit kuvendor pritet të miratohet deri javën e ardhshme dhe të fillojë zbatimi i masave nga grupi i katërt. Tekstin e shtuar dje në seancë e miratoi Qeveria dhe u dërgua në Kuvend, ku pritet debat në seancë plenare.

Marketing

“Debati në Komisionin kuvendor ishte konstruktiv. Janë pranuar nëntë amendamente të cilat ishin në drejtim të masave kovid. Është pranuar edhe amendamenti nga opozita i cili ka të bëjë për 1.000 fëmijë pa prindër që të marrin vauçerë. Rebalanci ka rritje në raport me atë paraprak dhe buxhetin. Sot është dërguar në Kuvend dhe gjatë kësaj jave do të fillojë debati dhe javën e ardhshme të fillojmë t’i implementojmë masat”, tha ministri në debatin e TV 24.

Të hyrat totale me ndryshimet dhe shtesat në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2020 janë planifikuar në nivel prej 196.3 miliardë denarësh dhe ato janë planifikuar në nivel pothuajse identik në krahasim me planin, duke e pasur parasysh që me ndryshimet shtesat e mëparshme të Buxhetit u projektuan në nivel real, përkatësisht më të ulëta për 11.5 për qind krahasuar me parashikimet fillestare të buxhetit.

Shpenzimet totale janë planifikuar në nivel prej 252.8 miliardë denarësh ose janë 4.1 për qind, pra rreth 10 miliardë denarë më të larta se plani. Bazuar në të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara, deficiti pozicionohet në vlerë prej 56.5 miliardë denarësh, ose 8.49 për qind e BPV-së.

“Duke i marrë parasysh rrethanat, janë bërë ndryshime në lidhje me parashikimet fillestare në anën e shpenzimeve të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kryesisht për zbatimin e aktiviteteve të parashikuara nga grupi i katërt i masave. Brenda kësaj kornize, janë siguruar fonde shtesë në sektorin e shëndetësisë për aktivitete që kontribuojnë drejtpërdrejt në luftën kundër krizës shëndetësore dhe kanë të bëjnë me prokurimin e barnave, imunizimin e popullatës dhe fondet e tjera të nevojshme dhe mbështetjen për punonjësit e përfshirë drejtpërdrejt në luftën kundër pandemisë”, theksohet në shpjegim.

Transferimet aktuale janë planifikuar në nivelin prej 177.3 miliardë denarë ose rreth 11.2 miliardë denarë më të lartë se plani për vitin 2020, dhe u referohen kryesisht masave të ndërmarra për të siguruar fonde për zbatimin e paketës së katërt të masave ekonomike të miratuara nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për ballafaqim me krizën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, e cila do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë reale dhe ndihmë të drejtpërdrejtë për konsumin privat.

Marketing