Regjina Zefaj, një nënë e shkëlqyer, një bashkëshorte model, një profesioniste  e rrallë

Vitet ikin shumë shpejt, duke lënë gjurmë mbi kujtesën tonë për njerëz, sende, ngjarje, rrethana të bukura apo jo. Shpejtësia e tyre na vë në provën e së panjohurës, si një nga mrekullitë më të hatashme të natyrës. Sa më të thella të jenë njohjet, aq më të thella dhe të veçanta bëhen kujtimet. Por nuk janë vitet  ato që të bëjnë të vlerësuar dhe që të japin personalitet. Janë vetëm veprat e mira, qëndrimi korrekt me njerëzit, mirëkuptimi dhe respekti. Qëndrimi pason sjelljen si një mësim shumë i fuqishëm për jetën, ngulit tek kujtimet tona personazhe, personalitete, portrete që të mbesin gjithmonë të pashlyer nga kujtesa. Sa më shumë i njohim njerëzit, veçanërisht në momente të vështira, aq më të thella janë dhe rrënjët e kujtesës. Nëse disa njerëz harrohen dhe kalojnë në jetën tonë  si re mjegulle, të tjerë mbeten të fiksuar fort në kujtesë dhe bëhen të paharrueshëm. Kjo e dyta ndodh veçanërisht me njerëzit e punës, me ata që ndeshen me vështirësitë dhe u japin zgjidhje atyre, me ata që i shërbejnë drejtpërdrejtë vlerave të jetës dhe qëllimeve të larta njerëzore.

Kështu ka ndodhur edhe me Rexhina Zefaj, me këtë grua, që i gjithë qyteti i Lezhës e respekton dhe e nderon. Në të vërtetë nderon punën e saj, karakterin e fortë, cilësitë e larta humane që ajo ka pasqyruar vazhdimisht në punë dhe në jetë. Njerëzit të mbajnë mend dhe nuk të harrojnë kur je i vlefshëm për ata, kur u shërben pa interes, kur tregohesh korrektë dhe i papërtuar, me sjellje të mirë, edukatë të lartë dhe shfaq në marrëdhënie e komunikim kulturë e mirësi.

Marketing

Prandaj, në këtë 70 vjetor të lindjes së farmacistes – doktoreshës, Regjina Zefaj, ne na shfaqet përpara syve një grua zonjë, një personalitet i spikatur profesionalisht, që rrezaton cilësi të vyera humane, teksa në portretin e saj janë të pandara pamja tejet e njerëzishme, buzëqeshja e sinqertë, ndriçimi i syve, pasionin dhe vullneti për t`i shërbyer gjithkujt me përkushtim të plotë, duke i qëndruar pranë si të ishte një i afërm i familjes, si një prind, si nj motër, si një nënë, një doktorësh e vërtetë.

Regjina nuk ka ndryshuar. Ajo, duke ditur të ruaj te vetja një rini të përhershme, vjen në këtë 70 vjetor plot energji, plot jetë dhe siguri, e bindur se e ka kryer me ndershmëri dhe gjer në fund detyrën e saj. Me vlerat e rralla njerëzore që ka shfaqur e që  ka përcjellë te njerëzit, ajo ka fituar qindra miq në qytetin dhe rrethinat e Lezhës. Janë të panumërt ata njerëz, të thjeshtë, intelektualë, qytetarë të shtresave të ndryshme, të rinj e të reja, të cilët e duan dhe e respektojnë shumë, i shfaqin asaj mirënjohje për përkushtimin dhe kujdesin atë që ajo ka treguar ndaj tyre apo ndaj të afërmeve të tyre.

Cilësitë dhe vlerat e doktoreshë Regjinës sigurisht që i kanë rrënjë në edukimin dhe kulturën që ajo ka fituar nga prindërit e saj, nga traditat e shkëlqyera të familjes. Aty rreth viteve ’30-të të shekullit të kaluar, babai i Regjinës, Prekë Berisha, erdhi nga fisi i Berishajve të Grudës, fis patriotësh dhe arsimdashës, si shumë shqiptarë të Hotit, Grudës e Gucisë, që shkuan dhe u arsimuan në konviktin e “Malet Tona”, Shkodër. I përkiste një fisi të njohur nga dera e të cilit patën dalë intelektualë të shquar: Profesor Kolë Berisha, Nol Berisha, Mark Berisha etj., e ku shquhej Kolë Berisha, si studiues i traditës kombëtare shqiptare, autor i disa botimeve mbi traditat tona popullore. Këta personalitete, patën ndikimin e tyre edhe në ndërgjegjen, edukatën dhe formimin e doktoreshë Regjinës. Ndaj ajo, që në fillim u shfaq në qytetin e Lezhës (në vitin 1973) si një farmaciste e re, korrekte, elegante, komunikuese me çdo moshë, gjithnjë me buzëqeshjen e saj  ndriçuese, që e ruan të freskët edhe sot. Menjëherë fitoi dashurinë dhe respektin e njerëzve, duke u shndërruar vazhdimisht përpara tyre në  një njeri-simbol të punës, të ndershmërisë dhe përkushtimit. Si një profesioniste e aftë, e përgatitur në shkollë të lartë, ajo gjithnjë studionte në heshtje për t`u thelluar në të rejat shkencore të profesionit të saj delikat e të vështirë, por ajo studionte edhe psikologjinë dhe problemet sociale që shoqëronin njerëzit me të cilët komunikonte dhe kërkonin ndihmë mjekësore prej saj.

Në punë ajo u njoh me kolegun e saj Zefin, i cili u bë edhe bashkëshorti i saj i ardhshëm, i mirënjohuri Doktor Zefi, gjinekologu duarartë, jo vetëm në Lezhë, por edhe në mbarë vendin, një profesionist që bën pjesë në plejadën e mjekëve që tërë jetën e ka lidhur me shërbimin dhe mbrojtën e shëndetit të nënës e fëmijës.

A pati pengesa Regjina në jetën e saj? Sigurisht, sepse njerëzit e hapur, të sinqertë dhe tolerantë, shpesh herë edhe paragjykohen. Aq më tepër që Regjina ishte edhe një veprimtare e shkëlqyer në punën me gratë, të cilave u qëndronte pranë, i ndihmonte në zgjidhjen e halleve dhe problemeve që ato kishin në jetë, por dhe i orientonte se si të çanin me durim dhe me guxim për të jetuar jetën me dinjitet dhe pa u nëpërkëmbur nga askush. Me punë dhe këmbëngulje, Regjina sfidoi prapambetjet dhe paragjykimet. Ishte puna e  përditshme, karakteri i saj i fortë dhe i qëndrueshëm,  që e prezantonte atë te njerëzit, te qytetarët lezhjanë, por edhe më shumë te pacientët që i drejtoheshin për hall dhe për të zgjidhur vështirësitë apo problemet e tyre shëndetësore. Kudo ku punoi e drejtoi në shëndetësi, Regjina tregoi ndërgjegje e ndershmëri, ajo kudo ishte në luftë me padrejtësitë, me formalizmin dhe mungesën e vëmendjes ndaj njerëzve, ndërkohë që nuk pajtohej asnjëherë me shfaqjet e korrupsionit, që nxirrnin kokat aty – këtu në fushën e  profesionit të saj. Regjina Zefaj, i qëndroi kurdoherë besnike “Betimit të Hipokratit”. Asnjëherë nuk i diferencoi njerëzit sipas shoqërisë e miqësisë, por gjithmonë rrezatoi mirësjellje dhe kulturë të lartë qytetare.

Edhe pse ka vite që ka dalë në pension, ajo punon dhe u shërben me devotshmëri qytetarëve dhe pacientëve në farmacinë e saj, duke qenë edhe një këshilluese dhe orientuese për problemet mjekësore. Cilësitë e vyera, edukatën dhe kulturën e lartë Regjina i përcolli edhe te dy djemtë e saj, teksa shfaq një dobësi të veçantë për nipin Mattia Zefaj, i cili ndodhet larg, në Angli. Për Regjinën dhe të gjithë familjen, ai është ëmbëlsira e shpirtit. Me kujdesin e një nëne të arsimuar dhe të kulturuar, Regjina së bashku me bashkëshortin e saj të mrekullueshëm Zefin,  u kujdesën për rritjen, edukimin dhe shkollimin  e djemve. Ata u shkolluan në universitetet më në zë të Londrës dhe të Bolonjës. Djali i madh, Rezarti, tani është arkitekt, kurse Arbëri, ka kryer Fakultetin e Mjekësisë Dega Farmaci, duke ndjekur rrugën e prindërve. Këta dy pasardhës, shikojnë tek prindërit e tyre modelin e prindit të devotshëm, babait të tyre të mirënjohur e shembullorë në gjithçka, të nënës së tyre, që personifikon modelin njerëzor, figurën e nënës së dhembshur, të dashur dhe edukatore të  përsosur, me dijeni të shumta për jetën. Një nënë e shkëlqyer, një bashkëshorte model, një profesioniste  e rrallë, që rrezaton kudo dhe kurdoherë humanizëm dhe mirësi, një qytetare me emancipim bashkëkohor.

Sot doktoreshë Regjina feston 70 vjetorin e saj të lindjes, në një mjedis mjaft të ngrohtë familjarë.

Edhe ne i urojmë asaj, edhe shumë e shumë vite të tjera të lumtura, së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët e saj të mrekullueshëm…