Regjistrimi, shqiptarët kundër propozimit të Entit për Statistika

Ndonëse nuk është zyrtarizuar, propozimi i Entit Shtetëror për Statistika që në regjistrimin e popullsisë të mos ketë grafë për përkatësinë etnike, por vetëm gjuhësore, ka alarmuar opozitën shqiptare. Aleanca për Shqiptare vlerëson se një regjistrim i këtillë i popullsisë është intrigues për shqiptarët ndërsa paralajmëron se do të përdor të gjithë mekanizmat që ta parandaloj një propozim të tillë.

Marketing

“Mos-ekzistimi i grafit të etnitetit dhe vetëm të gjuhës paraqet në mënyrë artificiale rritjen e popullsisë maqedonase përkundër asaj shqiptare, kur dihet se etnitete të caktuara pavarësisht etnitetit të tyre flasin gjuhën maqedonase. Vlerësojmë se partitë shqiptare që sot janë pjesë e pushtetit duhet të ngrenë zërin ndaj këtij propozimi, sepse megjithatë Etni për Statistikë nuk është një organizatë joqeveritare, por është një institucion shtetëror dhe duhet të marrin pjesë edhe ekspertët shqiptarë në propozimin e këtij ligji”- thekson Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.

“Besoj se kjo nuk do të jepte një refleksion të qartë të asaj që është Republika e Maqedonisë, një shtet dhe shoqëri multi-etnike. Prandaj shoh një sherr dhe ky sherr besoj se fshihet brenda këtij propozimi që pastaj do të reflektonte në debate të panumërta se duke marrë parasysh përkatësinë gjuhësore ne jemi kaq, ju jeni kaq, ata janë kaq”- u shpreh Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa (Krahu i Kasamit) .

Propozimi i Entit të Statistikave gjithsesi nuk ka as mbështetjen e partive shqiptare në pushtet.

“Vlerësoj që duhet të bëjmë përpjekje t’i shmangemi politizimit, partizimit dhe etnizimit të procesit të regjistrimit dhe të bëjmë një proces siç është në vendet skandinave le të themi, të kemi një data-bazë të të dhënave të të gjithë shtetasve”- tha Artan Grubi nga BDI.

“Mungesa e regjistrimit të popullsisë që nga viti 2002 e pa tjetërson përcaktimin etnik, aq më shumë për faktin që ne duhet ta dimë në këtë shtet kush sa është. Nëse në preambulën e shtetit shteti është definuar sipas përcaktimeve etnike nuk shohim arsye pse në regjistrim të popullsisë duhet të fshihen identitetet etnike”- u shpreh Orhan Murtezani nga Lëvizja Besa (Krahu i Gashit) .

Duke iu referuar të dhënave të deritanishme statistikore, profesori universitar, Izet Zeqiri hedh dyshimet se përmes këtij veprimi mund të rrezikohen të drejtat e shqiptarëve nëpër komuna, respektivisht humbja e pragut prej 20% duke u “përvetësuar” si maqedonas qytetarët e përkatësive të tjera etnike.

Në Maqedoni 64.18% janë maqedonas, 25.17% janë shqiptarë dhe 10.6% janë të tjerë, gjithsej diku 215 000 banorë. Këto “të tjerë” ekziston mundësia që kur do të regjistrohen në bazë të gjuhës të mos regjistrohen, sepse nuk do të kenë të drejtën e regjistrimit. Ato, ekziston mundësia, të regjistrohen në gjuhën maqedonase. Kështu që ekziston mundësia edhe e manipulimit të këtij numri në favor të etnitetit maqedonas në Maqedoni”- pohoi Izet Zeqiri, ish deputet.

Regjistrimi i popullsisë do të bëhet në prill të vitit 2020. Ligji për regjistrim pritet të kalojë në Qeveri deri në fund të këtij viti dhe të miratohet në Kuvend vitin e ardhshëm.

Marketing