Regjistrohen 159 raste të reja dhe 6 viktima nga Kovid-19

Gjithsej 159 raste të reja të të prekurve nga Kovid 19 i regjistroi Ministria e Shëndetësisë në 24 orët e kaluara. Janë shëruar 75 pacientë ndërsa kanë vdekur gjashtë.

Marketing

Janë bërë 1.733 testime ndërsa numri i të prekurve sërish është më i madh në Shkup – 32, ndërsa pasojnë Kumanova – 25, Gostivari – 22 dhe Struga 15. Në qytetet e tjera numri i të prekurve është njëshifror.

Pacientët e vdekur të gjithë janë mbi moshën 60-vjeçare. Më i moshuari është 86 vjeç ndërsa më i riu 61 vjeç. Katër nga të vdekurit janë nga Shkupi të moshës 77, 80, 85 dhe 86 vjeç, një pacient është nga Gostivari i moshës 61 vjeçare dhe një nga Shtipi i moshës 76 vjeçare. Pesë kanë vdekur në kushte spitali ndërsa një jashtë.

Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me kovid në vend nga fillimi i epidemisë është 13.458, numri i të shëruarve është 10.052 ndërsa i të vdekurve 563. Aktive janë 2.843 raste.

Nga komunat e Shkupit edhe më tej komunë me numrin më të madh të rasteve aktive është Çairi me 114 raste, pason Gazi Baba me 100 dhe Aerodromi me 99 raste.

Deri më tani në vend janë bërë 136.051 testime ndërsa sot nuk ka testime në kuadër të skriningut.

Sipas informacioneve të Ministrisë së Shëndetësisë, në Klinikën Infektive në 24 orët e kaluara janë pranuar gjashtë pacientë. Gjithsej të hospitalizuar janë 67 pacientë prej të cilëve në mbështetje oksigjeni janë 31 pacientë ndërsa nuk ka asnjë në respirator.

Në spitalin në Kozle të hospitalizuar janë 13 pacientë të rritur, pesë fëmijë, dy nëna dhe dy fëmijë dyshues për virusin.

Në SPQ “8 Shtatori” janë pranuar 11 pacientë të rinj ndërsa të hospitalizuar janë 65 pacientë. Në respirator janë pesë pacientë.

Në spitalin në Manastir të hospitalizuar janë 11 ndërsa në spitalin e Shtipit 33 pacientë. Në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë, Prilep, Gostivar, Strumicë dhe Strugë të hospitalizuar janë 93 pacientë – pozitivë dhe të dyshimtë për Kovid-19.