Regjistrohen 6 viktima nga përmbytjet në Greqi, Francë dhe Itali

Të paktën gjashtë viktima janë regjistruar në pjesë të ndryshme të Evropës në një fundjavë stuhish, përmbytjesh dhe rrëshqitjesh dheu. Në Itali dhe Francë, shirat e rrëmbyeshëm i morën jetën katër personave ndërkohë që një konsiderohet i zhdukur pasi shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dheu që morën me vete madje edhe rrugë.

Marketing

Stuhitë dhe era e fortë në Greqinë perëndimore çoi në vdekjen e dy personave, që ndodheshin në bordin e një barke në Antirio, pranë Patrës. Shërbimi meteorologjik grek tha se kushtet ekstreme të motit do të zbuten ndërsa stuhitë lëvizin më në lindje të vendit. Vala e motit të keq e ka marrë emrin Giryonis, nga mitologjia greke dhe ka kthyer kujtimet e dy viteve më parë kur përmbytjet i morën jetën 26 personave në zonën e mandrës. Pamjet televizive tregonin një katastrofë të vërtetë biblike, me rrugët e mbushura me baltë dhe gurë, pemë të shkulura, makina mbi njëra tjetrën. Ne shume shtëpi niveli i ujit arriti ne 1 metër e 80 cm dhe repartet e zjarrfikësve u janë përgjigjur dhjetëra thirrjeve telefonike për ndihme nga qytetaret.

Pjesë e një rruge nacionale që lidh Torinon me Francën, u shemb si pasojë e një rrëshqitjeje dheu, duke lënë një hendek 30 metërsh. Fatmirësisht nuk pati të lënduar. Rajoni më i prekur në Itali ishte Aleksandria, në jug të Torinos, ku 200 persona u evakuan dhe 600 të tjerë mbetën të bllokuar. Qindra të tjerë u evakuuan më në veri në val’daosta, ku rrugët u mbyllën për shkak të rrezikut të ortekëve ndërkohë që sirenat e alarmit për përmbytje u dëgjuan sërish edhe në Venecia.
Në anën tjetër në Francën juglindore, disa lumenj dolën nga shtrati duke shkaktuar dëme të mëdha ndërsa shtëpitë u përmbytën, pemët, makinat dhe barkat u rrëmbyen nga uji. Afro 5 mijë shtëpi mbetën pa energji elektrike në rajonin var ku sasia ekuivalente e dy apo tre muajve shi ra në vetëm 24 orë.