Partia Republikane ka marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA – duke u rikthyer pjesërisht në pushtet në Shtetet e Bashkuara.
Më shumë se një javë pas zgjedhjeve afatmesme të administratës aktuale amerikane, republikanët siguruan 218 vende – numri i nevojshëm për të dominuar këtë organ të legjislaturës amerikane, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Nuk dihet ende se çfarë mazhorance fituan republikanët në dhomën e ulët të Kongresit – pasi votat janë ende duke u numëruar në shtetet kyçe për rezultatin e zgjedhjeve.
Mazhoranca e Kongresit do t’i lejojë republikanët të ndikojnë në axhendën e presidentit aktual Joe Biden dhe të iniciojnë procese në të cilat ai ose anëtarët e familjes së tij mund të jenë në qendër.
Megjithatë, siç raporton Associated Press, shumica e ngushtë e mundshme republikane do të sfidojë liderët republikanë dhe aftësinë e tyre për të udhëhequr Dhomën e Përfaqësuesve.
Pritet që kryetar i dhomës së ulët të Kongresit Amerikan të jetë Kevin McCarthy – pavarësisht faktit se, për momentin, mbështetja e disa prej republikanëve më konservatorë është e pasigurt.
“Amerikanët janë gati për një drejtim të ri dhe republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve janë gati të arrijnë rezultate”, shkroi McCarthy pas shpalljes së suksesit të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në një intervistë për CNN, dy ditë përpara zgjedhjeve afatmesme, McCarthy përshkroi planet e tij për pushtet, që përfshinin trajtimin e inflacionit, rritjen e krimit dhe sigurinë kufitare.