Reuters për negociatat: Me Shkupin të nisin brenda vitit, për Tiranën nuk ka një datë

Gjermania ka propozuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut para fundit të këtij viti dhe dakordësimin në parim për të nisur procesin për Shqipërinë, por pa vendosur një datë të saktë brenda të cilës Tirana duhet të plotësojë kushtet shtesë.

Marketing

Plani, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, që i është propozuar vendeve të BE këtë javë, para samitit të liderëve në mes të tetorit, është kompromisi i mundshëm për ata në BE që përpiqen ti tërheqin afër vendet e ballkanit por që përballen me rezistencën e Francës, Holandës dhe Danimarkës. BE duhej të fillonte bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut vitin e shkuar, dhe sërish qershorin e kaluar.

Por, vendimi është shtyrë në vijimësi në mesin e mosmarrëveshjeve të brendshme ndërkohë që është i angazhuar edhe me Brexitin, daljen e parë të një vendi anëtar nga blloku. Shumë vende të BE kërkojnë hapjen e bisedimeve me dy vendet që ndodhen në portat e bllokut dhe paralajmërojnë se duhet zbrapsur ndikimi rus, kinez dhe turk në rajon. Dhe të enjten, pati edhe një letër mbështetëse nga zyrtarët më të lartë të BE në Bruksel.

Në draftin që do ti prezantohet ministrave të BE më 15 tetor, që është parë tashmë nga disa agjenci lajmesh, përfshirë Reuters, thuhet: Në dritën e progresit të arritur në reforma, BE vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.

Të njëjtat fjalë përdoren edhe për Shqipërinë, por ndërsa BE duartroket marrëveshjen historike për emrin mes Shkupin dhe Athinës, shumëkush në BE është i shqetësuar për performancën e Tiranës në luftën ndaj korrupsionit. Pas votimit në Berlin, Gjermania bëri një propozim të ri, konfidencial për BE.

Sipas Reuters, në këtë propozim, pjesa për Maqedoninë e Veriut mbetet e pandryshuar ndërkohë që nuk jepet një datë për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë, duke propozuar një listë reformash të tjera që duhen përmbushur nga Tirana para se ky takim të mbahet. Në Holandë ndërkohë do të mbahet një debat parlamentar mbi çështjen më 15 tetor.

Vendi ka qenë dukshëm më pozitiv për Maqedoninë e Veriut ndërkohë që ka kundërshtuar bisedimet me Shqipërinë. Nëse ministrat e BE do të dështojnë të arrijnë një akord, atëherë debati do të zhvendoset në samitin e liderëve, më 17 dhe 18 tetor. E sipas një diplomati, atëherë, do të jetë në dorën e Merkel të bërë Makron të ndryshojë qëndrim.

Shumëkush në Bruksel pret që Franca të kërkojë akoma më shumë kushte që të thotë po-në e saj. Një tjetër kompromis i mundshëm, sipas Reuters, është edhe dhënia e dritës jeshile për Maqedoninë e Veriut, por jo për Shqipërinë.

Top Channel

Marketing