Sot është dita e fundit e mbylljes së tenderit për segmentin e tretë të hekurudhës në Korridorin 8, por
Ministri i ri i Transportit Aleksandar Nikollovski, akoma s’ka të drejtë firmosje për ta parandaluar këtë. Ai tha se vlera e hekurudhës është rritur për 220 milion euro. Në vend se të kushtojë 340 milion, tani ky projekt kushton 560 milion euro. Ai tha se tenderimi ka nisur pak para zgjedhjeve në mënyrë jotransparente. Nikollovski tha se drejtori i NP “Rrugët Shtetërore” Ejup Rrustemi nuk jep dorëheqje dhe aktualisht kanë mbetur në një udhëkryq ndër-institucional për të marr masat me kohë e për të shmangur implikimet financiare në buxhetin e shteti. Kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë Publike.
“LSDM dhe BDI kanë shpallur tender në vlerë 560 milion euro, për të cilin sot më 26 Qershor përfundon afati për ofertuesit. Praktikisht e gjithë procedura është udhëhequr në periudhë parazgjedhore, zgjedhore dhe post-zgjedhore. Ne jemi qeveri vetëm tri ditë! Sipas ligjit për furnizime publike, tenderët mund të anulohen deri në ditën e paraqitjes së ofertave. Duke pasur parasysh që ky tender shpallet nga sektori ‘CFSD’ në Ministrinë e Financave, si unë, si Kryeministri, ashtu edhe Ministri i financave jemi zgjedhur të dielën në Kuvend, sipas ligjeve aktuale edhe sot ne nuk mund të nënshkruajmë asgjë”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit dhe lidhjeve.
Duke u bazuar në raportin e Entit të revizionit ai kërkon nga organi akuzës të hetoj se si 484 milionë euro dyshohet të jenë shtuar vetëm në tre projekte, siç janë segmenti i tretë i hekurudhës 23,4 km nga Kriva Pallankë-kufiri me Bullgarinë, autostrada Kërçovë-Ohër dhe segmenti i dytë i autostradës Shkup-Bllacë.
Raporti i Entit shtetëror të revizionit
A) Sipas marrëveshjes së lidhur RMV dhe BE për Seg.III hekurudhor është 340 milionë euro, ndërsa deri në ditën e auditimit vlera ka arritur në 560 milionë euro, që paraqet rritje në shumën e 220 milionë euro.
B) Për projektin e ndërtimit të autostradës Kërçovë
Ohër, vlera e kontratës për aneksin nr.3 ishte 589 milionë euro, ndërsa vlera fillestare ishte 411 milionë euro, që paraqet rritje 178 milion euro më shumë.
C) Projekti i segmentit dytë për autostradën Shkup-Bllacë fillimisht është parashikuar në vlerë 112 milionë euro, ndërsa u rrit në 198 milionë euro për 10.5 km autostradë, që paraqet 86 milion euro më shumë.
Për ndërtimin e Korridorit 8 infrastrukturor dhe Korridorit 10d me një gjatësi prej 108 km dhe një vlerë të parashikuar prej 1,319 miliardë euro, u miratua një ligj i veçantë që rregullon kushtet dhe mënyrën e ndërtimit. Me një analizë krahasuese të kostos së ndërtimit të Korridorit 8 dhe 10d, u përcaktua rishikimi se në planin pesëvjeçar të Komunitetit të Transportit nga prilli 2022, vlera treguese e deklaruar për pjesët e planifikuara është 585 milionë euro ose 475 milionë euro pa segmentin Bukojçan-Kërçovë. Sa i përket marrëveshjes me konzorciumin Bechtel-Enka e mbrojtur me ligj, e klasifikuar sekret shtetëror, Ministri i Transportit tha se do të kërkoj që fillimisht të de klasifikohet dhe pastaj të rishikohet në detaje. /Alsat.mk