Rezultat shumë i ngushtë në Izrael, Netanyahu në rrezik nga humbja

Rezultatet e para të zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael tregojnë se gara mes dy partive më të mëdha është shumë e ngushtë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk i ka publikuar rezultatet përfundimtare.

Marketing

Partia e kryeministrit të deritashëm të Izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet t’i fitojë 30 deri 33 ulëse në kuvend, ndërsa partia më e madhe opozitare e politikanit Benny Gantz, pritet t’i marrë rreth 32 deri 34 ulëse.

Për ta fituar të drejtën e formimit të qeverisë pa koalicion, një parti duhet t’i ketë së paku 61 ulëse. Sipas rezultateve preliminare, asnjëra parti nuk e ka arritur një gjë të tillë, prandaj pritet fillimi i negociatave për koalicione.
Benjamin Netanyahu po e kërkon mandatin e pestë në pushtet. Lideri i partisë djathtiste “Liqud” ka premtuar se do t’i aneksojë vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, nëse i fiton këto zgjedhje.

Në anën tjetër, rivali i tij, Benny Gantz, i cili e udhëheq partinë “E kaltra dhe e Bardha”, nuk e ka mbrojtur ndonjë formë të aneksimit të territoreve, ndonëse qëndrimi i tij për krijimin e shtetit palestinez është i paqartë.
Zgjedhje të përgjithshme në Izrael ishin mbajtur edhe në muajin prill të këtij viti, por kryeministri u detyrua të kërkojë zgjedhje të reja për shkak të dështimit për ta formuar koalicionin qeverisës, shkruan “BBC”.

Marketing