Ushtruesi i detyrës ndihmës sekretar amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Filip Riker, i cili po qëndron për vizitë pune në Shkup, do të ketë takime me kreun shtetëror, ndërkaq do të bisedojë edhe me përfaqësues të opozitës.
Është paraparë që Riker të ketë takime me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, me kryeministrin Zoran Zaev, me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe përfaqësues të tjerë qeveritarë. Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, gjatë vizitës në Kuvend, përveç me Xhaferin, do të ketë takime edhe me deputetët e Grupit të pavarur të deputetëve nga VMRO-DPMNE dhe Koalicionit “Për Maqedoni më të mirë”.
Sipas paralajmërimit nga Departamenti i Shtetit dhe kumtesës nga MPJ e MV-së, tema qendrore do të jenë marrëdhëniet bilaterale dhe rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, ndërkaq do të këmbehen edhe mendime për gjendjet në rajon. Pritet të bëhet fjalë edhe për ligjin e ri për prokurorinë publike me të cilin duhet të rregullohet statusi i ardhshëm i PSP-së.
Riker, i shoqëruar nga ambasadorja amerikane, Kejt Mari Bërns dje i vizitoi komunat Manastir dhe Kavadar, ku realizuan takime me kryetarët e komunave, Natasha Petrovska dhe Mitko Jançev.
Para vizitës në Shkup, Riker qëndroi në Athinë, ku pati takime me shefin e diplomacisë greke, Nikos Dendias, me përfaqësues të tjerë qeveritarë, si dhe me ish-kryeministrin, Aleksis Cipras.
Filip Riker, i cili është ish-ambasador i SHBA-së në vend, për herë të fundit Shkupin e vizitoi në mars të këtij viti, në cilësinë e zëvendësit civil dhe këshilltarit politik të komandantit të Komandës evropiane të Forcave të ushtarake të SHBA-së, detyrë që e kryente para emërimit ndihmës sekretar amerikan i Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike.
Rieker kohë më parë në intervistë për MIA-n në Uashington vlerësoi se Maqedonia e Veriut gjatë periudhës së kaluar punoi shkëlqyeshëm, dhe nuk duhet të lejohet që vendi t’i nënshtrohet ndonjë destabilizimi me lojëra të panevojshme politike. Administrata në Uashington është e bindur se Maqedonia e Veriut është në rrugën e vërtetë dhe se procesi duhet të shtyhet deri në fund, me qëllim që vendi të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s dhe t’i fillojë negociatat për anëtarësim të barabartë në BE, theksoi Riker.