Riker: Opozita të tregojë konstruktivitet, koha për lojëra politike ka kaluar

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker i bëri thirrje opozitës të tregojë konstruktivitet për ligjin për prokurorinë publike, me të cilin duhet të zgjidhet statusi i ardhshëm për Prokurorinë Speciale Publike dhe porositi se koha për lojëra politike ka kaluar.

Marketing

“I gëzohem mundësisë për t’u takuar me opozitën. Si edhe në çdo demokraci të vërtetë, roli i opozitës është kyç, por ajo duhet të jetë edhe konstruktive. Koha për lojëra politike dhe për theksimin e gjesteve të mëdha, si dhe për lojë me perspektivat e qytetarëve, tashmë ka kaluar. Porosia ime është e qartë – është koha të lëvizin gjërat për të mirën e vendit”, tha Riker në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev.

Maqedonia e Veriut, siç theksoi, po lëvizë përpara në përmbushjen e qëllimeve shumëvjeçare lidhur me integrimet euroatlantike – të bëhet aleate e NATO-s dhe t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE.

Zgjidhja e çështjes lidhur me ligjin për PP-në, sipas Rikerit, është kyçe për procesin, por edhe për qytetarët.
“Kjo është diçka që qytetarët dëshirojnë ta shohin të zgjidhur. Koha e mbajtjes së kësaj çështje nga ana e opozitës tashmë duhet të përfundojë dhe shpresoj se ata do të kenë qasje konstruktive. SHBA-ja dëshiron të punojë me të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut, por për ta bërë atë siç tha presidenti Donald Tramp dhe sekretari i Shtetit, Majk Pompeo, duhet të shohim përpjekje të matura, ndërsa ligji për PSP-në duhet të lëvizë. Miratimi i tij tani, do të thotë se kjo tashmë nuk do të jetë çështje dhe BE-ja do të mund t’i hapë negociatat në vjeshtë. Për këtë ka mbështetje të fuqishme edhe nga aleatët në BE. Prandaj e nxisë opozitën të lëvizë, në mënyrë që të kemi të ardhme edhe më të ndritur”, theksoi Filip Riker.

Marketing