Këshilli inspektues ka shqyrtuar parashtresat nga ana e prindërve për shkak ankesave për mos regjistrimin e fëmijëve të pa vaksinuar në klasën e parë, ku inspektorët reaguan në mënyra të ndryshme për një situatë të ngjashme. Kryetarja e Këshillit inspektues, Magdalena Filipovska Grashkovska, tha se deri me tani në këtë institucion kanë arritur tre ankesa nga prindërit e fëmijëve të cilët nuk janë regjistruar këtë vit në klasën e parë, e të cilët u referohen punës së inspektove të arsimit ku prindërit janë të pa kënaqur nga niveli i veprimit të tyre.
“Ne si këshill nuk kemi kompetencë për vlerësimin e zbatimit dhe interpretimit të ligjit, kështu që kërkuam nga MASH të prononcohet në lidhje me atë se a ka gabuar ndonjë inspektor dhe kush, sepse njëra palë veproi në bazë diskriminimit të ndaluar ndërsa tjetra në bazë vërtetimit për vaksina, mirëpo deri më tash nuk kemi marrë përgjigje, ndërkaq kërkesa deri në MASH është lëshuar që nga muaji gusht kurse ndërhyrja në muajin shtator”, tha Grashkovska.
Tanja Perkova nga Velesi, fëmija i të cilës u largua me polici nga shkolla, theksoi se vaksinimi duhet të jetë e drejtë për të zgjedhur dhe jo të jetë i detyruar.
“Jemi ndër rastet e rralla ku drejtori vendosi të na nxjerr fëmijën me polici nga shkolla. Pas një jave provuam prapë të kthehemi, mirëpo nëpërmjet telefonit na thanë që në çdo mënyrë do të mundohen të na largojë nga shkolla. Sipas Ligjit, mësuesja duhet që ta nxjerr nxënësin para shkolle dhe unë nuk toleroj qe fëmija im ta përjetojë këtë traumë edhe përskaj asaj që ndodhi me policinë kjo do të ishte një traumë edhe më e madhe”, tha Perkova. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, u shpreh se numri i fëmijëve të paregjistruar në klasë të parë është rreth 190 në nivel nacional, ndërkaq për këtë është informuar edhe Qeveria.
“Ne kemi bashkëpunim me këtë inspektorat, për reagimin e ndryshëm të inspektorëve do të kërkoj informacione shtesë se çfarë, si dhe ku e kanë kryer këtë veprim. Unë dua që çdo fëmijë të ulet në bankat shkollore, mirëpo pas informimit nga Ministria e Shëndetësisë për shpalljen e epidemisë dhe mbarimin e periudhës së saj, jemi më të relaksuar për të mundësuar dhe realizuar shkollimin e çdo fëmijë”, tha Ademi.
Gordana Goxho nga Shoqata “Nga ne për ne”, shpjegoi se kemi të bëjmë me tri situata të ndryshme, një pjesë e fëmijëve që nga 1 shtatori nuk janë pranuar, të tjerët shkojnë në shkollë me vërtetime të zbrazura dhe situata e tretë, të cilët kanë shkuar në fillim dhe më pas i kanë ndaluar. Më tej, ajo shtoi se në një nga shkollat në Kisella Vodë është bërë edhe regjistrim i dyfishtë, e cila është vepër penale.
“Në bazë të Ligjit të ri, masat të cilat mund ti marrë Këshilli inspektues është marrja e licencës së inspektorëve. Në qoftë se ato nuk vendosin në favor tonin, hapi i ardhshëm është Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg”, tha Goxho. (koha.mk)