Rriten tensionet në Gjirin Persik, Irani konfiskon anijen britanike

Autoritetet e Iranit e kanë ndaluar dhe konfiskuar në Ngushticën e Hormuzit një anije të regjistruar në Britaninë e Madhe, duke i rritur edhe më tepër tensionet edhe ashtu të larta në Gjirin Persik.

Marketing

Rojet Revolucionare të Iranit njoftuan se e kanë konfiskuar anijen “Stena Impero” me 23 anëtarë të ekuipazhit, duke thënë se ky mjet lundrimi i ka shkelur rregullat detare.

Një agjenci zyrtare e lajmeve në Iran njoftoi të shtunën në mëngjes se anija është dërguar në portin “Bandar Abbas” dhe se anëtarët e ekuipazhit janë duke qëndruar në anije. Sipas kësaj agjencie, kjo anije është përfshirë në një incident me një barkë peshkimi të Iranit para se të konfiskohej.

Sidoqoftë, pronarët e anijes së konfiskuar kanë thënë se ata janë rrethuar nga anije të vogla të paidentifikuara dhe nga një helikopter gjatë lundrimit nëpër Ngushticën e Hormuzit në kohën kur anija ndodhej në ujëra ndërkombëtare.

Kompania që e menaxhon këtë anije ka thënë se nuk kanë kontakte me anëtarët e ekuipazhit, por se ata i kanë respektuar të gjitha rregullat. Në deklaratën e tyre thuhet: “Anija Stena Impero ishte duke i respektuar plotësisht të gjitha rregullat ndërkombëtare”, shkruan “The Guardian”.