Rritje e ndjeshme e vetëvrasjeve në Finlandë gjatë krizës së koronavirusit

Ka patur një rritje të vetëvrasjeve në Finlandë gjatë krizës së koronavirusit, dhe zyrtarët shëndetësorë dyshojnë se ata që kanë nevojë për kujdes shëndetësor mendor nuk kanë arritur të kërkojnë ndihmë.

Marketing

Gjatë muajit mars dhe prill, numri i vetëvrasjeve të dyshuara ishte gati 15 % më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, sipas të dhënave të bordit të policisë kombëtare. Në dy muaj, janë regjistruar gjithsej 129 vetëvrasje.

Rritja më dramatike e vetëvrasjeve është vërejtur në rajonin e Finlandës Qendrore, duke u dyfishuar nga 14 në 30, sipas autoriteteve lokale.

Statistikat tregojnë se njerëzit shpesh bëjnë përpjekje ose kryejnë vetëvrasje në pranverë, por tendenca rrallë herë rritet që në mars.

Pak kërkojnë ndihmë gjatë krizës

Në mënyrë të konsiderueshme, më pak njerëz se zakonisht, kanë kërkuar përkujdesje psikiatrike në Finlandë këtë periudhë, sipas zyrtarëve shëndetësorë që shprehën shqetësimin se qendrat spitalore të kujdesit psikik, kanë qënë bosh gjatë këtyre muajve.

Një model i ngjashëm është parë në të gjitha objektet e kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin, si dhe në pjesën tjetër të botës. Individët po anullojnë gjithnjë e më shumë takimet mjekësore, sepse nuk duan të rëndojnë sistemin e kujdesit shëndetësor ose kanë frikë nga infeksioni i koronavirusit.

Në mënyrë të ngjashme, sasia e njerëzve që kërkuan kujdes shëndetësor në Helsinki dhe Uusimaa, u ul me 20 % këtë pranverë, në krahasim me të njëjtën periudhë të viteve të fundit.

Dhuna në familje është rritur.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit në të gjithë vendin kanë vërejtur gjithashtu, një rritje të dhunës në familje gjatë tre muajve të parë të këtij viti, duke raportuar një rritje të njësive të dërguara në ankesat e shqetësimeve në shtëpi, me rreth 3000 më shumë se zakonisht, gjatë kësaj periudhe.

Të enjten, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) lëshoi një paralajmërim në lidhje me kërcënimin e një krize të mundshme të shëndetit mendor, të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, që mund të prekë miliona njerëz në të gjithë botën.

Agjensia globale e shëndetësisë u bëri thirrje qeverive në të gjithë botën, që të përqëndrohen në kujdesin psikiatrik, duke thënë se numri i vdekjeve në rritje, izolimi, frika dhe varfëria do të paraqesin kërcënime të mëdha për shëndetin mendor të njerëzve.