Rrogat e zyrtarëve po prekin majat!

Rrogën e muajit janar, zyrtarët pritet të marrin me 400 euro plus, krahas rritjes paraprake prej 78%.
Rritja vjen si pasojë e rritjes së pagës mesatare, por ai do s’do ta gëzojë këtë rritje shtesë, është kryeministri Dimitar Kovaçevski, të cilit i kanë mbetur edhe 25 ditë në këtë post.

Marketing

Rrogat e zyrtarëve po prekin majat! LSDM lëvdohet se në mars paga minimale do të jetë 22.500 denarë
“Unë nuk do të kem rritje të pagës, sepse unë me 28 janar…do të ketë seancë në Kuvend ku do të hyjë në fuqi Qeveria teknike, me kryeministër teknik. Rreth pagave të funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar, kryetarë komunash, gjykatës, prokurorë, deputetë, drejtorë, 21 ministra, sa i përket kësaj, ka grup pune që punon në propozim që duhet të dorëzohet në Kuvend dhe Kuvendi ta thotë fjalën e fundit”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

TV21: Ju a e keni pyetur grupin e punës?

“I pyeta. Më thanë se po punojnë”, shtoi Kovaçevski.

Nga ana tjetër nga LSDM u lëvduan se në qeverisjen e tyre edhe në 2024-tën po vazhdon rritja e pagave në vitin 2024. Sipas socialdemokratëve nga muaji mars do të ketë rritje të re të pagës minimale dhe ajo do të jetë 22.500 denarë.

“Në 6 vitet e fundit, LSDM e ka rritur pagën minimale 4 herë. Në vetëm pak vite, paga minimale është dyfishuar në krahasim me vitin 2016. Me politika të drejta dhe të suksesshme ekonomike, LSDM-ja arriti ta rrisë pagën mesatare në 39.000 denarë, paga mesatare sot është 300 euro më e lartë në krahasim me vitin 2016”, thonë nga LSDM.

Për pagat, reagoi Lidhja Europiane për Ndryshim nga ku theksojnë se gjersa për funksionarët tani janë plus 400€, për qytetarët ka vetëm lëmoshë 2 mijë denarë.

“Me pafytyrësi dhe pa asnjë pikë turpi, mashtrojnë qytetarët dhe i zhvatin. Me rritjen e fundit, tani shumica e funksionarëve të pushtetit do të kenë paga nga 2500€ deri në 3000 €. Por ama lavdërohen se e kanë rritur pagën minimale në 22.500 denarë ose rreth 370 €. A ka turp më të madh, a ka zhvatje më të madhe, a ka dyfytyrësi më të madhe se kjo qeveri dhe funksionarët e saj. Imagjinoni pas disa muajve do të dalin të kërkojnë votën e qytetarëve dhe me paturpësi do të thonë; na votoni ne që kemi rroga prej 3000€, sepse ne i bëmë rrogat tuaja nga 370€!”, reagojnë nga LEN.

Për pagat kishte reagim edhe VMRO-DPMNE të cilët thonë se rrogat po rriten shumë ngadalë, në krahasim me rritjen enorme të shpenzimeve të jetesës. Nga kjo parti akuzojnë pushtetin për politika të gabuara ekonomike, respektivisht për rritjen e TVSH-së për disa produkte. Nga VMRO thonë se Maqedonia e Veriut është e fundit në rajon në rritje ekonomike që nga viti 2017.

Marketing