Rrymat brendapartiake dhe paradokset që do të kthehen në normalitet

Maqedoninë e Veriut e pret një vit mjaft dinamik. Asnjëra nga partitë nuk është në ujëra të qeta dhe duke i shtruar këtu edhe turbulencën gjeopolitike do të shohim edhe më shumë akrobacione të cilat ndoshta që as i kemi menduar. Paradokset do të kthehen në normalitet dhe vrulli i kësaj dinamike do të përmbysë shkëmbinj të mëdhenj nga skena politike – një shkundje e madhe po vjen.

Marketing

Shkruan: Sefer Selimi Jr.

Amullia e fundit në skenën politike në Maqedoninë e Veriut nuk është ndonjë surprizë duke marrë parasysh që thuajse që nga viti 2015 qytetarët panë e ç’nuk panë në cirkun e politikës, shpeshherë edhe përtej imagjinatës së Orwellit dhe dinakërisë së Makiavelit. E në stilin e njëjtë skenarët, strategjitë dhe veprimet e aktorëve politik shkaktojnë huti tek qytetarët se ç’po ndodh, kush me kënd është dhe kush kujt është duke ia punuar pas shpine.

LSDM – pas ndryshimit të kryesisë dhe liderit, është lëshuar në lojërat e fronit ku gjithkush mundohet të pozicionohet pranë ‘’mbretit’’ të ri, ‘’vezirit’’ dhe oborrtarëve – ndërkohë që ai (Kovaçevski) i pakonsoliduar plotësisht ka bartur të gjithë pushtetin operativ tek ‘’veziri i tij’’ (Zeqeviç) i cili de fakto drejton partinë dhe ka ndikim të jashtëzakonshëm në pushtetin e tanishëm – deri tek përzgjedhjet më të vogla kadrovike në hisen e LSDM-së. Por një nga faktorët kryesorë që Kovaçeski nuk arrin në konsolidimin e plotë të partisë janë katër rrymat brendapartiake që sfidojnë unitetin e partisë – rryma e ish-kryetarit Zaev, rryma e Sheqerinskës, rryma e Spasovskit dhe ajo e Zeçeviqit. Të gjitha këto rryma, të cilat kanë ambicie të forta, janë ndër fajtorët kryesor të mosefikasitetit të qeverisë dhe vënë në pikëpyetje mjaft çështje të rëndësishme, përfshirë edhe atë të vet ekzistencës së qeverisë.

VMRO-DPMNE – ka rënë në deliriumin e idesë se janë duke ardhur në pushtet dhe sjellja e tyre shpeshherë ngjason me atë të pronarit të shtetit, kombit dhe identitetit të maqedonasve. Të nxënë ngushtë nga largimi i partnerit të mundshëm në kampin shqiptar – Aleancës për Shqiptarët – kjo parti ndodhet mes një dileme substanciale që do të përcaktoj fatin politik të tyre: 1) të shtypin butonin nuklear dhe të rikthehen në ekstremizmin etno-nacionalist duke garuar me të Majtën ekstreme në këto tema ose 2) të fokusohen në krijimin e një ambienti ku një partner politik shqiptar nuk do të ndihej në siklet për të qenë në pushtet me Mickovskin. Aktualisht siç duket era në VMRO-DPMNE po fryn për opsionin e parë dhe me shumë gjasë kjo do ta mbaj edhe gjatë kohë të izoluar pa një perspektivë të qartë edhe për partnerët e mundshëm por edhe për faktorin ndërkombëtar për rikthimin eventual në pushtet.

BDI – Është në fillimin e kulminacionit të krizës më të madhe që ka pasur ndonjëherë kjo parti që nga themelimi i saj dhe dalëngadalë i afrohet parashikimit që ‘’BDI do ta mposhtë BDI-në’’. Askush nuk mund ta deshifrojë qartësisht kokëfortësinë e Ali Ahmetit për të rrezikuar gjithçka që ka ndërtuar këto 20 vite në BDI duke e lidhur trashëgiminë e vet politike me Artan Grubin dhe duke e ekspozuar veten e tij ndaj njërës prej thënieve në tubimet e fundit se ‘’askush nuk të mban mend si ke filluar, por si përfundon’’. Fraksioni që tashmë publikisht u kundërvihet vendimeve të tij janë sfiduesit më serioz që ka pasur brenda partisë edhe atë 1) Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, thuajse gjysma e kryesisë së partisë dhe një numër i madh funksionarësh që kontrollojnë struktura të fuqishme lokale dhe jo vetëm në Shkup dhe 2) Musa Xhaferi, njeriu që i di të gjitha të mirat dhe të këqijat e bashkudhëtarit Abaz Gjuka.

Aleanca për Shqiptarët – U ngrit dhe u ndërtua mbi identitetin politik të Ziadin Selës, i cili kishte paraqitje të shkëlqyer publike, por një mungesë po aq të madhe në kalkulimet politike. Humbja e disa momentumeve mjaftë të rëndësishme që do ta pozicionin ASH-në pa asnjë dilemë si partinë kryesore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut i kushtoi postin e kryetarit, të cilin e trashëgoi figura e dytë kryesore e kësaj partie, Arben Taravari. Ky i fundit përballet me dy dilema kryesore për të konsoliduar pushtetin e tij në parti: 1) të ndjek rrugën e Ziadinit kokëfortë për të kënaqur mbështetësit e tij apo 2) të konsolidojë pushtetin përmes pjesëmarrjes në qeveri. Siç duket era në Aleancën për Shqiptarët po frynë nga opsioni i dytë.

Maqedoninë e Veriut e pret një vit mjaft dinamik. Asnjëra nga partitë nuk është në ujëra të qeta dhe duke i shtruar këtu edhe turbulencën gjeopolitike do të shohim edhe më shumë akrobacione të cilat ndoshta që as i kemi menduar. Paradokset do të kthehen në normalitet dhe vrulli i kësaj dinamike do të përmbysë shkëmbinj të mëdhenj nga skena politike – një shkundje e madhe po vjen.kdpolitik.com