Ballina Lajme Botë Rubla ruse pëson zhvlerësimin më të madh në 17 muaj

Rubla ruse pëson zhvlerësimin më të madh në 17 muaj

Valuta ruse rubla është zhvlerësuar në nivele që janë parë vetëm në javët e para pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë.
Të hënën, 101 rubla ruse janë treguar me 1 dollarë amerikan, çka nënkupton zhvlerësim të valutës për 25 për qind këtë vit dhe më të madhin në 17 muajt e fundit.

Marketing

Maksim Oreshkin, këshilltar ekonomik i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë se faji i zhvlerësimit të rublës qëndron te “politikat e lirshme tregtare”.

Sipas tij, forcimi i rublës është në interes të ekonomisë ruse dhe një rënie e vlerës së saj e “komplikon ristrukturimin ekonomik dhe ndikon negativisht në financat e popullsisë”.

Oreshkin ka thënë mes tjerash se Banka Qendrore e Rusisë “i ka të gjitha mjetet e nevojshme” për ta stabilizuar situatën dhe ka thënë se pret normalizim së shpejti.

Analistët besojnë se dobësimi i rublës është duke u nxitur nga rritja e shpenzimeve për mbrojtje – që ndikojnë në rritje të importit – dhe rënie të eksportit, sidomos në sektorin e naftës dhe gazit natyror.

Në mesin e masave që ka marrë Banka Qendrore e Rusisë, për ta luftuar këtë gjendje, është rritja e normës së interesit për 1 për qind muajin e kaluar.

Ajo ka thënë se normat mund të rriten sërish nëse rubla rrezikohet.

Të hënën, disa rusë në Moskë janë shfaqur të shqetësuar për dobësimin e valutës së tyre.

“Çmimet do të rriten, që nënkupton se standardi i jetesës do të bjerë. Veçse ka rënë, e do të bjerë edhe më shumë – ne definitivisht jemi njerëz të varfër”, ka thënë Vladimir Bessosedny, 63-vjeçar, mësues i pensionuar.

Të tjerë shpresojnë se kjo rënie është e përkohshme dhe që situata do të stabilizohet.

Në janar 66 rubla janë treguar me një dollarë amerikan, mirëpo valuta e ka humbur rreth një të tretën e vlerës në muajt pasues./rel

Exit mobile version