Rusia dëbon dy diplomatë amerikanë

Rusia i ka dëbuar dy diplomatë amerikanë.

Marketing

Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, diplomatët amerikanë kanë bashkëpunuar me një qytetar rus me emrin Robert Shonov, i cili akuzohet se ka punuar me një shtet të huaj, shkruan Reuters përcjell Klankosova.tv

Në deklaratën e MPJ-së ruse, thuhet se ishte thirrur e ngarkuara me punë në Moskë, Lynne Tracy dhe asaj i është kumtuar se sekretari i parë i ambasadës, Jeffrey Sillin dhe sekretari i dytë David Bernstein duhet të largohen nga Rusia brenda shtatë ditëve.

Kjo u konfirmua edhe nga vet Ambasada e Shteteve të Bashkuara, ndërkaq ende nuk ka ndonjë reagim nga Washingtoni lidhur me këtë rast.

Raportohet se Shonov kishte punuar për 25 vjet në Konsullatën e Përgjithshme të ShBA-së në qytetin lindor rus të Vladivostok, derisa në vitin 2021 Rusia urdhëroi shkarkimin e stafit lokal të misionit të Shteteve të Bashkuara.

Shërbimi rus i sigurisë, në muajin gusht kishte publikuar një video që sipas këtij shërbimi tregonte Shonovin ku ai pranonte se diplomatët amerikanë i kishin kërkuar të mblidhte informacion në lidhje me përpjekjet luftarake të Rusisë në Ukrainë, aneksimin nga ana e saj të “territoreve të reja”, mobilizimin e saj ushtarak dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Në video, zoti Shonov tha se i ishte thënë të mblidhte informacion “negativ” për këto tema, të kërkonte për sinjale protestash popullore dhe t’i pasqyronte këto në raportet e tij.

Shtetet e Bashkuara akuzuan Moskën për përpjekje për të frikësuar punonjësit amerikanë pasi media shtetërore ruse raportoi akuzat kundër zotit Shonov dhe tha se shërbimi rus i sigurisë kishte planifikuar të merrte në pyetje punonjësit e ambasadës që kishin qenë në kontakt me të.

Kur ai u arrestua në maj, Departamenti i Shtetit tha se rasti vinte në dukje “përdorimin e hapur të ligjeve gjithnjë e më shtypëse” nga Rusia kundër qytetarëve të saj dhe se akuzat kundër zotit Shonov ishin “krejtësisht të pabaza”.

Marketing