Pas humbjes së luftës inteligjente me NATO-n dhe Evropën në Malin e Zi, Rusia dhe Serbia po rrisin aktivitetet e tyre në shtetet e tjera. Rritja më e madhe është në Maqedoni edhe në Kosovë. Burimet e RTV Dukagjini, bëjnë të ditur se Rusia po tenton të mbaj dhe të shtrij ndikimin e saj diplomatik, ekonomik, kulturor dhe të fushave tjera.
Serbia poashtu është e përfshirë në aktivitetet e Rusisë, i cili po i udhëheq ato. Aktivitetet diplomatike si dhe inteligjente janë po ashtu duke u zhvilluar në ambasadat e NATO-s dhe të vendeve evropiane që operojnë në Maqedoni dhe në Kosovë. Aktivitetet po kryhen nga ambasadat në të dyja vendet. Ambasada kryesore, e cila koordinon të gjitha aktivitetet në regjion është ajo ruse në Beograd.
Përveç përvetësimit të ndikimit të cilën Rusia e “blen” në të gjitha mënyrat e ndryshme, duke përfshirë ftesat për dreka, darka, dhuratat e shtrenjta, ftesat për evente kulturore etj, ata po fitojnë “simpatinë” edhe të diplomatëve.
Një ngjarje e tillë u zhvillua në Maqedoni, kur ambasadori i Rusisë vlerësoi në ngjarjen diplomatike se Sllovenia është vendi më i favorshëm në rajon. Ambasada e Rusisë, përveç drekave të zakonshme, gjithashtu sponsorizoi me para ambasadorin slloven në Maqedoninë e Veriut, Milan Jazbec, për përkthimin dhe botimin e librit të tij në Maqedoni.
Një mbështetje e tillë nuk është e zakonshme në mjedise diplomatike. RTV Dukagjini mëson se Rusia po përpiqet gjithashtu të fitojë favorin e Kosovës dhe Shqipërisë me metodat e ngjashme. Nga ana tjetër, ajo po lobon në mënyrë aktive në vendet e BE-së kundër përpjekjeve të Maqedonisë dhe Shqipërisë për të filluar negociatat me BE-në për anëtarësim dhe kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Qëllimi përfundimtar është të ndal vendet e rajonit të anëtarësohen në BE dhe NATO dhe me këtë vendet e rajonit të pësojnë krizë.