Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë mohoi se raketat e saj kaluan në Poloni, duke i quajtur raportet një “provokim të qëllimshëm”.
“Deklaratat e mediave dhe zyrtarëve polakë për rënien e supozuar të raketave ‘ruse’ në zonën e Przewoduvit janë një provokim i qëllimshëm për të përshkallëzuar situatën. Asnjë goditje ndaj objektivave pranë kufirit shtetëror ukrainas-polak nuk u krye nga raketat ruse. Mbeturinat e publikuara nga mediat polake nga vendi i ngjarjes në fshatin Przewoduv nuk kanë asnjë lidhje me armët ruse”, thuhet në reagim.
Një zyrtar i lartë amerikan ka konfirmuar raportimet se dy raketa ruse kanë rënë në Poloni, shtet anëtar i NATO’s, me ç’rast kanë shkaktuar vdekjen e dy personave, raporton agjencia e lajmeve, Associated Press.
Ai ka deklaruar për sulmin në kushte anonimiteti si pasojë e natyrës së ndjeshme të tij, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Müller, nuk e ka konfirmuar drejtpërsëdrejti këtë informacion, megjithatë ka treguar se liderët e shtetit po mbajnë takim urgjent si pasojë e një “situate kritike”.
Ndërsa sipas tabloidit britanik, Daily Express, raketat ranë në qytetin polonez Przewodów, i cili është në kufi me Ukrainën.
Raportohet se policia, prokuroria dhe ushtria tashmë janë në vendngjarje derisa forcat e armatosura poloneze thuhet se janë në gatishmëri të plotë për të vepruar.