Rusia po përdor mjete të ndryshme për të ndikuar në Maqedoninë e Veriut

Një raport i Fondacionit Rusia e Lirë, me seli në Shtetet e Bashkuara, thekson se që nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut, politikanë, diplomatë dhe biznesmenë rusë kanë përdorur çdo formë të veprimit të “butë” në mënyrë që të destabilizojnë shoqërinë dhe ta mbajnë larg Maqedoninë e Veriut nga perëndimi, në veçanti nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Marketing

Në raport numërohen disa nga metodat ruse të përdorura për të ndikuar opinionin publik dhe politikën në Maqedoninë e Veriut, përcjell VOA në shqip.

Një nga veprimet është financimi i medieve lokale dhe grupeve në internet për shpërndarjen e rrëfimeve pro-Kremlinit dhe për të ushtruar fushatë dezinformuese në gazeta, internet dhe medie sociale. Gjatë fushatës para referendumit për ndryshimin e emrit rreth 40 faqe u shfaqën në Facebook për të nxitur bojkotimin e referendumit. Sipas diplomatëve evropian, fushata i ka rrënjët në Rusi.

Formë tjetër është financimi i klubeve të futbollit, çiklistëve dhe grupeve nacionaliste, sikurse edhe pjesëmarrjen e tyre në protestat që mbështesin interesat e Kremlinit.

Sipas raportit, në mesin e formave të veprimit është edhe shtimi i pranisë kulturore siç është çuarja përpara e idesë për identitetin pan-sllavik dhe besimit të përbashkët ortodoks. Ngritja e konsullatave të nderit në Manastir dhe Ohër që mund të shihen si “baza të zbulimit” dhe qendra të ndikimit.

Rusia, sipas raportit, ka ofruar mbështetje të nivelit të lartë politik për politikanët pro-rusë. Gjatë krizës politike të viti 2015, Rusia mbështeti ish-kryeministrin Nikola Gruevski. Presidenti rus Vladimir Putin atëherë tha se “Rusia mbështet udhëheqësit e Maqedonisë dhe përpjekjet e tyre për të normalizuar situatën politike në vend.” Ministria ruse e Punëve të Jashtme më pas lëshoi një seri deklaratash në mbështetje të Gruevskit dhe qeverisë së tij dhe akuzoi BE-në dhe Shtetet e Bashkuara për rolin e tyre në orkestrimin e protestave të opozitës më 2015 dhe 2016. Një shembull tjetër është deklarata e presidentit Putin gjatë takimit me ish presidentin Gjorge Ivanov, se alfabeti dhe letërsia sllave erdhën në Rusi nga toka maqedonase

Rusia, thuhet në raport, ka shfrytëzuar përdorimin e agjentëve të zbulimit për të rekrutuar ish-oficerë dhe oficerë aktual ushtarak dhe oficerë të Ministrisë së Brendshme për të kundërshtuar procesin e anëtarësimit në NATO.

Në mesin e metodave ruse, raporti numëron edhe “thellimin e varësisë energjetike dhe përhapjen e mënyrave korruptive të të bërit biznes dhe bashkëpunimit midis biznesit, politikanëve dhe kishës”.

Por, sipas raportit, pas krizës politike të vitit 2015 dhe humbjes së zgjedhjeve nga Nikola Gruevski në zgjedhjet e vitit 2016, marrëdhëniet e reja politike midis dy vendeve u dobësuan. Kryeministri i ri, Zoran Zaev, iu kthye perëndimit dhe akuzoi Rusinë për ndërhyrje në punët e brendshme. Pas anëtarësimit në NATO në vitin 2020, marrëdhëniet politike midis dy vendeve mbeten të tensionuara.

Duke shikuar një pamje më të madhe, thuhet në raport, Rusia po përdor instrumentet e saj të zakonshme për të depërtuar në ekonomi dhe politikë në Maqedoninë e Veriut duke përhapur mënyrën e saj malinje të të bërit biznes, por vëllimi i burimeve, njerëzit e përfshirë dhe mungesa e interesit të rëndësishëm ekonomik, tregojnë se ky vend i Ballkanit nuk duket se është përparësi për Rusinë për të ruajtur ndikimin e saj.

Sot, përfundon raporti, shqetësimi kryesor për shoqërinë e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë nëse praktikat ruse të tilla si korrupsioni, lidhjet e ngushta midis politikës dhe biznesit dhe industria e lajmeve të rreme do të zënë rrënjë në vend dhe do të dëmtojnë sistemin nga brenda edhe nëse ajo anëtarësohet në BE. Për të parandaluar këtë, është shumë e rëndësishme të gjurmohen të gjitha rastet e korrupsionit pa periudhë parashkrimi, të vendoset tolerancë zero për politikanët e korruptuar dhe përhapjen e qëllimshme të lajmeve të rreme. (Zëri i Amerikës)

Marketing