Kryetari i Parlamentit rus, Vyacheslav Volodin, ka deklaruar se ligjvënësit rusë do ta konsiderojnë revokimin e ratifikimit të Traktatit për Ndalim të Testimeve Bërthamore, pasi presidenti rus Vladimir Putin e ka përmendur mundësinë e rikthimit të testimeve të këtilla.
Veprime kësisoj nga ana e Rusisë, apo e Shteteve të Bashkuara, do të mund të jenë destabilizuese në kohën e rritjes së tensioneve mes dy vendeve. Putin ka thënë të enjten se doktrina bërthamore e Rusisë nuk ka nevojë për përditësim dhe se nuk është gati të deklarohet nëse Rusia duhet t’i rikthejë testimet bërthamore.
Shefi i Kremlinit ka thënë se Rusia do ta shqyrtojë mundësinë e revokimit të traktit, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë nënshkruar, por nuk e kanë ratifikuar.
“Situata në botë është duke ndryshuar. Uashingtoni dhe Brukseli kanë nisur luftë kundër shtetit tonë”, ka thënë Volodin.
Deklaratat e Putinit dhe Volodinit sugjerojnë se Rusia edhe mund ta revokojë ratifikimin e traktatit, i cili e ndalon shpërthimin e armëve bërthamore nga çdokush.
Rusia ka më së shumti koka bërthamore në botë, shumicën të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik. Sipas Kombeve të Bashkuara, përgjatë pesë dekadave, prej vitit 1945 deri më 1996, janë kryer më shumë se 2.000 testime bërthamore – 1.032 nga SHBA-ja dhe 715 nga Bashkimi Sovjetik. Bashkimi Sovjetik e ka testuar për herë të fundit një armë bërthamore më 1990, ndërsa SHBA-ja më 1992. Më vonë testime bërthamore kanë kryer edhe India, Pakistani dhe Koreja Veriore. /REL