Sali Berisha: Asnjë pëllëmbë tokë Serbisë

Ish kryeministri Sali Berisha bëhet pjesë e debatit që ka përfshirë së fundmi Kosovën, pas deklaratës së presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufijve” mes Kosovës e Serbisë.

Marketing

Në një takim me delegacionin e Partisë Demokratike Shqiptare të Luginës së Preshevës, të kryesuar nga Ragmi Mustafa, Berisha u shpreh se Republika e Kosovës është shpallur dhe njohur si shtet i pavarur me kufijtë e saj aktual ndërkombëtar ndaj Serbia nuk ka asnjë të drejtë dhe nuk duhet t’i njihet asnjë e drejtë për të pretenduar qoftë edhe një pëllëmbë tokë të territorit të Kosovës.

“Të pranosh idenë e ndarjes së Kosovës në një mënyrë apo në një tjetër mbështet idenë dhe përpjekjen e Beogradit për Serbinë e Madhe në kurriz të Kosovës. Në rajonin tonë tha ai zona me tre komuna minoritare si Mitrovica janë disa dhe hapja e një precedenti që kërkojnë serbet në Mitrovicë do minonte paqen dhe stabilitetin në mbare rajonin” ka thënë Berisha në takim.

Në këtë takim Mustafa e njohu ish kryeministrin me gjendjen e rëndë të shqiptarëve në komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, shkeljen e lirive dhe të drejtave të tyre njerëzore. Për këto qëllime, u shpreh Mustafa, Beogradi ka bërë gati ligjin e ri albanofob serb për heqjen e monumenteve dhe përmendoreve historike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Pazarin e Ri në kuadrin asimilimit të minoriteteve.

Nga ana e tij Berisha theksoi se nuk ka asnjë dallim edhe ne rastin e “shkëmbimit” te territoreve pasi kanë qenë serbët ata që kanë kërkuar gjithnjë, ndarjen apo tregtinë me territoret e saj. Ai theksoi se çdo marrëveshje dhe çdo zgjidhje duhet të jetë një marrëveshje midis dy vendeve të pavarura që njohin dhe respektojnë integritetin territorial të njeri-tjetrit.

Marketing