Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen së bashku sot në Berlin, me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Samiti do të vijojë me diskutimet për raportet e ndërfqinjësisë dhe mundësitë e pajtimit, nga ku do të kërkohet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi.
Merkel dhe Macron do të dëgjojnë nga udhëheqësit e Ballkanit këndvështrimet e tyre dhe propozimet sesi mund të avancojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kosova do të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj. Përfaqësimi i Serbisë do të jetë president-kryeministër. Me president dhe kryeministër do të jetë edhe përfaqësimi i Malit të Zi.
Për pjesëmarrje në këtë samit nuk ka mbërritur ftesë për presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe homologun e tij maqedonas. Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini dhe komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn janë pjesë e samitit.
Presidenti Thaçi, para nisjes për në Berlin ka hedhur poshtë mundësinë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë dhe ndonjë plani eventual rreth sovranitetit të dyfishtë në Kosovë, sikurse kanë raportuar mediat gjermane dhe ato austriake para samitit. Ai është shprehur për vazhdimin e dialogut me Serbinë, por pa kushtëzime, derisa ka hedhur poshtë mundësinë të ketë dialog apo negociata me palën serbe.
Ndryshe, sipas njoftimit të Kancelarisë gjermane, sot kancelarja Merkel fillimisht do të takohet me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev për një bisedë.
“Kjo do të shoqërohet me një bisedë me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Më pas, kancelarja do të zhvillojë një bisedë dypalëshe me presidentin francez, shoqëruar edhe me një deklaratë të përbashkët. Pas mbërritjes së krerëve të shteteve dhe qeverive së Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Sllovenisë dhe përfaqësueses së lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, do të fillojë takimi i Ballkanit Perëndimor, me një sesion pune dhe një drekë pune. Takimet do të shërbejnë për të këmbyer pikëpamjet mbi stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, veçanërisht mbi marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës”, bëhet e ditur në njoftimin e Kancelarisë gjermane.