Saranda, një prej destinacioneve kryesore të detit, të rërës dhe të diellit është duke pritur ditët e fundit, turistët e parë.
Njësitë e akomodimit bëjnë me dije se prenotimet vijnë në momentin e fundit. Me këtë ritëm, sipas tyre, është e vështirë që të bëhen parashikime.
“E shikojmë si një behar të vakët. Është konfirmuar vetëm tregu polak momentalisht. Tregu europian që ne synonim apo ai skandinav ka konfirmuar mosardhjen e tij. Është logjike të nënkuptohet rritja e çmimeve sepse nëse në hotel kishim kapacitete dhe shërbime në grup tani duhet të kemi parasysh distancimin dhe ndarjen e klientëve në dhoma të veçanta duke na rritur automatikisht kostot”, thotë Leonidha Çavo.
“Një gjë shumë e mirë është heqja e vizave prej shtetit shqiptar me shumë shtete të mëdha siç është Egjypti sepse shumë njerëz po na kontaktojnë nga Kajro dhe kanë interes për të ardhur në Shqipëri. Mendoj se edhe nga tregu serb që vjet ka qenë i detyruar të kalojë pushime në Sarandë do të ketë një fluks sepse turistët që erdhën vjet nga Serbia kanë qenë shumë të kënaqur”, shprehet Rudina Selimi, operatore turistike.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se situata nuk do të jetë më e njëjtë pas pandemisë dhe Saranda, gjithashtu rajoni jugor, do të duhet të shfrytëzojë brendësinë e tokës përveçse bregdetit, për të arritur rezultate të mira dhe një numër më të lartë vizitorësh.
“Problemi më i madh këtu është se Saranda është e fokusuar tek turizmi i bregdetit që do të thotë se sezoni është i shkurtër, periudhë që mbulon vetëm 1/3 e vitit dhe ky nuk është një përqëndrim ideal. Unë di që këtu ka mijëra biznese me ide të mira dhe produkte të mira por ata nuk janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Ata janë shumë të izoluar dhe duhet të sjellin së bashku paketa, produkte, oferta që prekin edhe thellësinë e territorit, fermat, agroturizmin, monumentet duke krijuar eksperienca të reja për vizitorët”, shpjegon eksperti zviceran i turizmit, Urs Wagenseil.
Kryefjala e këtij sezoni do të jetë zbatimi i masave dhe siguria për jetën, grupet më të vogla dhe destinacionet e reja, ndërsa kërkohet ndihmë edhe prej qeverisë për ta marketuar më mirë rajonin jugor të Shqipërisë.