Scholz çan bllokadën greke/ Kancelari: Athina të mos pengojë integrimin në BE

Gjermania i dërgoi një mesazh të qartë Greqisë: Shqipëria duhet të anëtarësohet sa më parë në Bashkimin Evropian.  Kancelari i Gjermanisë, Olaf Schloz zhvilloi këtë të martë një takim me kryeministrin grek, Kiriakos Mitsotakis në Berlin, ku i shprehu qëndrimin që procesi i integrimit të vendeve të rajonit nuk duhet të bllokohet si pasojë e mosmarrëveshjeve dypalëshe.

Marketing

“Është e nevojshme të afrojmë sa më parë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilave iu dha premtimi për anëtarësim 20 vjet më parë në Samitin e Selanikut 2003. Në të gjitha mosmarrëveshjet midis vendeve të rajonit, Berlini është në anën e procesit të anëtarësimit në BE, sepse dëshiron që kandidatët për anëtarësim ta arrijnë atë sa më shpejt”.

Më 11 nëntor, Greqia vendosi të mos i bashkohet shteteve të tjera anëtare të BE-së për të plotësuar kërkesën e komisionit Evropian për hapjen e negociatave për tre grup-kapitujt e parë.  Këta kapituj janë nga më të rëndësishmit pasi kanë të bëjnë me demokracinë, funksionimin e institucioneve demokratike dhe prokurorimet publike.

Qëndrimi i Athinës zyrtare vjen pas përplasjeve dhe kerkesave për lirimin e Fredi Belerit apo për betimin e tij për të marrë detyrën e kryebashkiakut. Mirëpo Tirana zyrtare thotë se arrestimi i tij është në kompentencat e drejtësisë shqiptare.

Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023 dhe akuzohet për shit-blerje votash./abcnews.al