Ballina Lajme Maqedoni Së shpejti Parlamenti grek do ta ratifikojë marrëveshjen për vendkalimin kufitar afër...

Së shpejti Parlamenti grek do ta ratifikojë marrëveshjen për vendkalimin kufitar afër Prespës

Marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapje të vendkalimit kufitar afër Prespës, javën e ardhshme do të ratifikohet nga Parlamenti grek, pas së cilës do të pasojë edhe vendimi ministror dhe dekreti përkatës presidencial, komunikoi ministrja alternative e Punëve të Jashtme të Greqisë, Anastasia Anagnostopulu gjatë mbledhjes në MPJ-në greke për vendkalimin e ri kufitar, njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina.

Marketing

Në mbledhjen organizuar nga shefja alternative e diplomacisë greke, siç komunikojnë nga Ministria e Punëve të jashtme të Greqisë, kanë marrë pjesë koordinatori i administratës së decentralizuar të rajonit Epir-Maqedonia Perëndimore, Vasilios Mihelakis, zëvendës-prefekti për energji, mjedis jetësor dhe transport në fushën e Maqedonisë Perëndimore, Konstaninos Geru dhe kryetari i Komunës së Prespës, Panajotis Pas’halidis, si dhe përfaqësues të ministrive kompetente.

Ministrja alternative e Punëve të Jashtme të Greqisë, gjatë mbledhjes e ka shprehur kënaqësinë që tregohet rëndësia e Marrëveshjes së Prespës për popullatën lokale dhe u bëri thirrje të gjitha shërbimeve kompetente “në mënyrë më të mirë të mundshme të kryejnë atë që është e nevojshme për zbatimin e marrëveshjes për vendkalimin kufitar”.

Pjesëmarrësit e kanë prezantuar rrjedhën e hulumtimit (ndërlidhje rrugore, objekte ndërtimore për policinë dhe autoritetet doganore dhe ngjashëm), ndërsa është shqyrtuar edhe dorëzimi i propozimit për kyçje drejt Programit evropian INTERREG.

“Siç është caktuar në marrëveshje, në afat prej 30 ditëve të ratifikimit, do të formohet Komiteti i përzier i ekspertëve për zbatim të marrëveshjes, në të cilin do të marrin pjesë përfaqësues nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut”, kumtojnë nga MPJ-ja greke.

Në mbledhje është theksuar se hapja e vendkalimit kufitar është kërkesë afatgjate e pushtetit lokal të Prespës, të mbështetur nga komuna dhe periferia kompetente për përparimin e rajonit më të gjerë dhe për zhvillimin turistik.

Marketing
Exit mobile version