Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, më 22 mars

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi për datën 22 mars seancën konstituive të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Marketing

“Kjo seancë do të mbahet në orën 10:00, teksa përgatitjet për mbajtjen e saj do të kryhen konform procedurave në fuqi”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e Osmanit.

Ky njoftim vjen pasi Osmani, së bashku me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, takuan të hënën përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për t’u konsultuar për krijimin e institucioneve të reja.

Thirrja e seancës konstituive pason certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë.

Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.

Pas konstituimit të Kuvendit, i hapet rruga formimit të Qeverisë së re, të cilën pritet ta udhëheqë Kurti.

Kurti ka thënë se do ta krijojë Qeverinë me partitë e komuniteteve joserbe.