Seanca për formimin e Qeverisë pritet të mbahet në ora 17:00

Seanca për formimin e Qeverisë së Kosovës e cila do të udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese do të zhvillohet në ora 17:00.

Marketing

Orë më parë, kryeparlamentari Glauk Konjufca i ka dërguar një letër liderit të VV-së, Albin Kurti ku ka kërkuar propozimin e emrit për mandatarin e ri të qeverisë.

E siç mëson lajmi.net Kurti tashmë i ka kthyer emrin Konjufcës dhe pritet që seanca të zhvillohet pasditen e sotme.

Albin Kurti sot nuk pranoi të bëjë të ditur disa nga emrat e ministrave të rinj, por në media tashmë janë përmendur disa prej tyre siç janë: Donika Gërvalla, Arbërie Nagavci, Armend Mehaj, Liburn Aliu, Rozeta Hajdari, Albulena Haxhiu e disa të tjerë.

Duhet përkujtuar që nga zgjedhjet e 14 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje doli subjekti politik fitues edhe pse Albin Kurtit, nuk iu lejua kandidimi për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Mbetet të shihet nëse Vetëvendosje ka dërguar emrin e Kurtit për kryeministër, apo të Arben Vitisë siç edhe u përmend mëngjesin e sotëm.

Sot është bërë edhe konstituimi i Kuvendit të Kosovës të legjislaturës së tetë me radhë, ku 58 deputetë janë nga Vetëvendosje, 19 nga PDK, 15 deputetë nga radhët e LDK-së dhe tetë deputetë ka AAK-ja.

Padyshim se pjesë e kuvendit është kësaj here janë edhe përfaqësuesit e komuniteteve.

Kryetar  i Kuvendit të Kosovës u zgjodh Glauk Konjufca, nënkryetarë u zgjodhën Saranda Bogojevci, Bedri Hamza dhe Kujtim Shala.

Marketing