Autoritetet në Jordani kanë sekuestruar rreth 1 ton drogë sintetike, e fshehur në një ngarkesë me hurme në kufi me Irakun.
6 milionë pilulat e drogës të njohura si Captagon u gjetën në dy kamionë frigoriferikë, në një prej sasive më të mëdha të kësaj lënde narkotike të sekuestruar në vend, sipas CNN.
Captagon, i quajtur ndryshe si “kokaina e të varfërve”, prodhohet në sasi të mëdha në Siri. Me varfërinë në rritje, shumë sirianë të zakonshëm u përfshinë në tregti, e cila tani vlen shumë më tepër se çdo eksport i ligjshëm.
Amfetamina kontrabandohet në vendet fqinje, si Jordania dhe Libani. Destinacioni përfundimtar është shpesh në shtetet e Gjirit ku ka një treg të madh. Sipas një raporti të vitit 2021 nga një institut me bazë në Qipro, prodhimi i Captagon kishte një vlerë tregu prej rreth 3.5 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Përplasjet midis ushtrisë jordaneze dhe trafikantëve të drogës po bëhen më të shpeshta.
Janarin e kaluar u vranë 27 trafikantë.