Sela me ofertë të re për Gashin dhe Kasamin, 48 orë afat-lëre ose merre?

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela pas mbledhjes së sotme me organet e partisë tha se do të dërgojnë ofertë deri tek subjektet politike me të cilat mund të realizojnë koalicion parazgjedhor dhe se brenda 48 orëve do të kuptohet gjithçka rreth koalicionit të mundshëm.

Marketing

“Do të ju drejtohem me ofertë konkrete partnerëve të cilët ne i kemi llogaritur që duhet të jenë pjesë e koalicionit të 12 prillit me ofertë konkrete për gjithçka, sepse nuk mjafton që të thuhet se jemi apo sjemi për koalicion tre palësh. Në lidhje me këtë ofertë do të ju njoftojmë brenda 48 orëve”-tha Sela.

Në pyetjen se çfarë përmban oferta e Aleancës për Shqiptarët drejtuar partive tjera, Sela tha se oferta për momentin nuk është publike dhe se nuk përjashton mundësinë që si parti të shkojnë vetëm në zgjedhje.

“Kërkesa është fitorja ndryshimi dhe ardhja e demokracisë mbrenda për brenda shqiptarëve. Mbas 48 orëve kur të shterohen afatet, ne do të dalim dhe do të flasim. Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje me opozitarët e vërtetë , dhe ato janë shqiptarët e zakonshëm”-pohoi Sela.

Ndryshe, ditëve të fundit në opinion flitet se koalicioni më i mundshëm është vetëm ai dypalësh me Alternativën duke qenë se kjo e fundit ka qenë decide se nuk dëshiron koalicion trepalësh në të cilin do të ishte edhe Lëvizja Besa. Vendimi për një koalicion mes këtyre tre partive pritej të merrej që në fillim të muajit janar me formimin e Qeverisë teknike. Ai është shtyrë për shkak të mos-pajtimit të Alternativës të ulet në një tavolinë me Lëvizjen Besa. Partia e Bilall Kasamit u kishte dhënë prioritet negociatave për koalicionin trepalësh dhe kishte deklaruar që, vetëm në rast se ai dështon, do të shqyrtojë ndonjë opsion tjetër.