Zv. Drejtori në Agjencionin për përkrahje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural Abduselam Selami në emisionin “Arti i financës” në Klan Maqedoni ka folur për rezultatet e shënuara gjatë menaxhimit me këtë drejtori. Ai foli për përfaqësimin e shqiptarëve në këtë institucion, investimet në fshatrat shqiptare, naftën e gjelbërt dhe paralajmëroi se veb faqja e Agjencionit së shpejti do të jetë edhe në gjuhën shqipe.
“Për një vit sa jam në këtë pozicion kemi shënuar shumë rezultate. Janë nënshkruar 1561 kontrata për programin IPARD. Numrat flasin vetë. Veb faqja e Agjencionit do të jetë në gjuhën shqipe së shpejti. Para një viti në këtë agjencion kishte vetëm 9 shqiptar ndërsa sot janë mbi 35 shqiptarë. Unë flas me numra, nuk flas muhabete. Kemi investuar në 50 fshatra shqiptare sa i përket infrastrukturës. Unë flas me fakte. Çdo fermer 24 orë e ka derën e hapur te unë”, ka deklaruar Selami.
Ai foli edhe për naftën e gjelbërt që u realizua me kërkesë të bujqve.
“Kjo mase në nivel republikan ka 53 mijë kartela të shpërndara. Çdo bujku që i janë paguar subvencionet për vitin më parë nuk duhet të aplikoj por automatikisht atij i ndahet kartela e gjerbërt. Këtë vit ministria e bujqësisë në program ka paraparë që të mbulojë 50% të harxhimeve për naftën e gjelbërt”, ka deklaruar Zv. Drejtori në Agjencionin për përkrahje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural Abduselam Selami.