Serbët që e hoqën flamurin shqiptar në Koshare u paraqitën si gazetarë amerikanë në Junik

Komandanti i Betejës së Koshares, Hisen Berisha, ka folur rreth videos që e kanë publikuar sot mediat serbe. Ai ka thënë se objekti në videon ku shihet një person duke larguar flamurin shqiptar, është në Koshare

Marketing

“Po, ky është objekt i Koshares”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, objekti në fjalë ka qenë kazermë e ushtrisë jugosllave por që është bombarduar në luftë.

Berisha thotë se videoja mund të jetë realizuar ditët kur Ramë Manaj bashkë me disa zyrtarë serbë ka qenë në Koshare për t’i kërkuar disa ushtarë serbë që kanë thënë se janë të varrosur atje.

“Para një jave Ramë Manaj me disa serbë kanë qenë atje. Ka mundësi që kjo video është bërë atë ditë…”, ka thënë Berisha për Syri.

Berisha thotë se aktualisht nuk e di nëse flamuri shqiptar ndodhet në objektin e bombarduar gjatë luftës, pasi tregon se ka kohë që nuk ka qenë në vizitë në atë vend.

“Prej fundit të gushtit nuk kam qenë nuk e kam parë nëse flamuri është aty apo jo. Një djalë nga Krusha e ka vendosur këtë flamur”, ka thënë ai.

Sipas Berishës, personat në video kanë shëtitur hapur nëpër Junik duke u paraqitur si gazetarë amerikanë.

“Janë interesuar për luftën në Kosovë, kanë kërkuar nga zyrtarët e Junikut qe të shkojnë për t’i parë varrezat e Koshares. Janë pritur e respektuar nga banorët e Junikut”, ka thënë ai.

Ndërkohë, videon derisa prifti largon flamurin shqiptar e ka publikuar gazeta serbe “Novosti”.

“Meqenëse isha sipër, pashë drejt flamurin, atë shqiptar, i cili fluturon nga kulla e vrojtimit që nga viti 1999, pas tërheqjes së ushtrisë sonë. Disa emocione më pushtuan dhe iu afrova dhe e hoqa”, kishte thënë ai.

Marketing