Serbia kërkon ekstradimin nga Maqedonia e Veriut, të ish-ushtarit të UÇK së Kosovës, Blerim Ramadani, i cili u ndalua një javë më parë në vendkalimin kufitar të Jazhincës. Ministri i brendshëm serb Ivica Daçiq, tha se kjo varet nga organet e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Ai sot në Tabanocë, gjatë takimit me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut Pançe Toshkovski, tha se Serbia ka një listë për flet-arreste ndërkombëtare ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët dyshohen për krime lufte në Kosovë në vitet 97-99.
“Ne kemi listën e shumë njerëzve që kanë marrë pjesë në krime gjatë kohës së luftë, i kemi procesuar dhe lëshuar flet-arrest. Përmes tyre, disa prej tyre janë arrestuar. Ne presim që të sillet vendim për ekstradim, por kjo është çështje e brendshme e Maqedonisë së Veriut”, tha Ivica Daçiq, Ministër i brendshëm të Serbisë.
Me kërkesë të Prokurorisë për krim të organizuar, ish-ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadani i është caktuar masa e paraburgimit ekstradues 30 ditor. Ai u ndalua më 17 Korrik 2024 në vendkalimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë dhe menjëherë u transferua në burgun e Shutkës në Shkup. Ndërkaq, në pyetjet e gazetarëve lidhur me akuzat e fundit që vijnë nga Kosova, se Millan Radojçiq, organizatori i ngjarjeve në Banjskë, po planifikon sulme të reja në Kosovë, dhe se pa dorëzimin e tij nuk mund të ketë mirëkuptim për bisedimet mes vendeve, ministri Daqiç tha:
“Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur dhe kjo absolutisht nuk mund të ndodh. Ne nuk kemi direkt bashkëpunim me përfaqësuesit e atyre institucioneve të përkohshme, sipas vendimit të Kombeve të Bashkuara. Ne gjitha bashkëpunimet i kemi me EULEX dhe në atë mënyrë shkëmbejmë informacione në lidhje me këto procese. Nuk mund të bëhet ekstradim brenda Serbisë, kurse Serbia në përbërjen e saj e ka edhe Kosovën, kështu thonë Kombet e Bashkuara.
A me kënd zhvilloni bisedime, me Republikën e Kosovës apo me EULEX-in?
Absolutisht me EULEX-in!”, deklaroi Ivica Daçiq, Ministër i Punëve të brendshme të Serbisë. /Alsat.mk