Metodologjia e re për zgjerimin e Bashkimit Evropian tani numëron shtatë faza që shtetet kandidate duhet t’i plotësojnë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane kundrejt 35 kapitujve që janë aktualisht.
Jeton Shasivari, ekspert për çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare, për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia e Veriut si shtet nuk duhet të pret shumë nga vendosja e kornizës kohore sa i përket aspiratave të saj në përshpejtimin e procesit të integrimeve evropiane.
“Për sa i përket nismës kroate, natyrisht se kjo është për t’u mirëpritur megjithatë nuk duhet të ketë pritshmëri të mëdha pasi do jetë një sukses i madh nëse eventualisht merret një vendim në Samitin e Zagrebit për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.
“Kjo është kështu ngase presidenca kroate gjatë periudhës së ardhshme do të ballafaqohet me tema shumë komplekse evropiane siç janë ndryshimet klimatike, kufijtë e BE-së, negociatat me Britaninë e Madhe, çështjet e ndryshme financiare të BE-së, dhe çështje të tjera”, thotë Shasivari.
Ai në këtë drejtim kujton se në aspektin historik, çdo zgjerim i Bashkimit Evropian është pasuar nga kritere shtesë që ka nënkuptuar një proces më kompleks sesa procesi i mëparëshëm, në këtë drejtim Maqedonia e Veriut thekson Jeton Shasivari, mund të përfitojë nga rregullat e reja që përcaktohen nga Brukseli duke ecur me hapa të kontrolluara, por gjithsesi shumë më të sigurta.
“Konsideroj se metodologjia e re nuk parashikon ndonjë ndryshim thelbësor dhe përmbajtësor në kornizën e bisedimeve megjithatë mund të jetë në favorin e Maqedonisë së Veriut nëse përdoret në mënyrë racionale për të përparuar gradualisht duke vlerësuar arritjet e vendit çdo detaj për çdo fazë të negociatave.
Sfida qendrore për sa i përket Maqedonisë së Veriut, për sa i përket metodologjisë së re nga njëra anë, do të jetë ruajtja e entuziazmit dhe motivimit për të realizuar reformat e nevojshme në kuptimin që këto reforma bëhen në të mirë të qytetarëve dhe shoqërisë dhe jo se ato kërkohen nga BE-ja, kurse nga ana tjetër sfidë do të jetë mungesa e garancisë se zgjerimi në të ardhmen do të vlerësohet sipas meritave individuale të secilit shtet veç e veç, dhe që nuk do të ketë bllokime në të ardhmen”, thotë Jeton Shasivari, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Fakultetin Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.