SHBA i përgjigjet Milorad Dodik: Ndarja do të sjellë fundin e Republikës Srpska

Ambasada amerikane në Sarajevë, paralajmëroi të premten kundër njoftimit të qeverisë së Republikës Serbe së do të hartojë brenda 30 ditësh një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.

Marketing

Në reagimin e ambasadës thuhet se kjo nënkupton shkëputjen e Republikës Serbe, duke e cilësuar si “një veprim të rrezikshëm, të papërgjegjshëm, anti Dejton që vë në rrezik tërësinë tokësore, sovranitetin dhe karakterin shumetnik të Bosnjës dhe Hercegovinës. Këto janë interesa thelbësore amerikane. Shtetet e Bashkuara do t’i mbrojnë ato, ndër të tjera, duke kërkuar përgjegjësi nga ata që i vënë në rrezik”.

Qeveria e Republikës Serbe paralajmëroi hartimin e “marrëveshjes” në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e cila miratoi një rezolutë me të cilën shpalli 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995.

LEXONI EDHE KËTË
OKB-ja miraton rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë
Ambasada amerikane tha se presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik dhe qeveria e tij u përpoqën ta shpjegojnë vendimin me një tufë gënjeshtrash dhe dezinformatash të sajuara për të trembur opinioni publik në Republikën Serbe, për ta tërhequr në këtë rrugë të rrezikshme.

“Faktet janë të thjeshta dhe të qarta. Nuk ka asnjë konspiracion ndërkombëtar për të shfuqizuar Republikën Serbe dhe zoti Dodik nuk mund të veçojë një deklaratë të vetme të asnjë zyrtari amerikan që bën thirrje për shfuqizimin e saj”.

Në reagim thuhet mes tjerash se Kushtetuta e Bosnjë nuk u jep të drejtën e shkëputjes njësive të saj përbërëse.

“Republika Serbe mund të ekzistojë vetëm brenda Bosnjës dhe Hercegovinës. Shkëputja ose ‘ndarja’ e Republikës Serbe nuk do të thotë pavarësi për të ose fund për Bosnjën, por fund për Republikën Serbe”, thuhet në reagim.

Veprimtaritë e zotit Dodik, thuhet më tej në reagim, vënë në rrezik të ardhmen brenda institucioneve euroatlantike që e dëshirojnë qytetarët e Bosnjës. Rruga që ai propozon do të sigurojë që qytetarët e Republikës Serbe, fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre të mos kenë jetën paqësore dhe të begatë në demokracinë që ata e meritojnë, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Sarajevë.

Milorad Dodiku është kërcënuar shpesh në të kaluarën që territoret e kontrolluara nga serbët të shkëputen nga Bosnja dhe të bashkohen me Serbinë fqinje. Ai dhe disa zyrtarë të tjerë serbë të Bosnjës janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, pjesërisht për rrezikimin e një marrëveshjeje të paqes të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, që i dha fund luftës në Bosnje e cila la pas vetes mbi 100 mijë te vrarë dhe miliona të zhvendosur.

BE: Sovraniteti, tërësia tokësore dhe rendi kushtetues i Bosnjws e Hercegovinës duhet të respektohen

Bashkimi Evropian u shpreh i shqetësuar nismat e Republikës Serbe që bien ndesh me rrugën evropiane të Bosnjës e Hercegovinës, përfshirë veprimet dhe retorikën e saj ndarëse, të cilat po e vënë në mëdyshje rendin kushtetues të vendit, tha të premten zëdhënësi i bllokut Peter Stano.

“Shtetet anëtare kanë theksuar se sovraniteti, tërësia tokësore dhe rendi kushtetues i Bosnjës e Hercegovinës duhet të respektohen. Idetë ndarëse vetëm do të izolojnë autorët e tyre edhe më shumë se sa që janë tashmë të izoluar dhe do të sjellin më shumë vështirësi për qytetarët që po mbahen peng nga autorët e këtyre ideve dhe veprimeve”, tha zoti Stano.