Departamenti amerikan i Shtetit tha se në Rusi është në rritje kërcënimi ndaj lirisë së mediave.
Autoritetet ruse kanë goditur Radion Evropa e Lirë dhe organizata të tjera mediatike, duke i gjobitur në bazë të një ligji për “agjentët e huaj”.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha më 29 prill se qeveria ruse është gjithnjë e më pak “tolerante ndaj pikëpamjeve të jashtme” derisa bën përpjekje për të heshtur çdo zë mospajtimi në vend.
Rregullatori i mediave ruse Roskomnadzor ka shënjestruar shërbimet në gjuhën ruse të Radios Evropa e Lirë duke u vënë gjoba prej gati 1 milionë dollarë në muajt e fundit për, siç është thënë, qindra shkelje të ligjit për “agjent i huaj”.
Së fundi qeveria ruse caktoi mediumin Meduza me bazë në Letoni si një “agjent të huaj”.
“Ne e kemi bërë të qartë se veprimet e Rusisë kundër Radios Evropa e Lirë dhe organizatave të tjera mediatike të etiketuara si të ashtuquajtur agjentë të huaj reflektojnë jotolerancë dhe kufizime shtypëse”, tha Price.
Ligji për agjentët e huaj për herë të parë u miratua më 2012 dhe u amandamentua disa here. Ligji u jep autoriteteve fuqinë për të shpallur organizatat joqeveritare, grupet e të drejtave të njeriut dhe mediat e lajmeve që mendohet të marrin fonde të huaja si “agjentë të huaj”.
Ndër të tjera, ligji kërkon që mediat të cilat marrin fonde të huaja të etiketojnë përmbajtjen brenda Rusisë duke shkruar se është prodhuar nga një “agjent i huaj”.
Njoftimi i detyrueshëm me 24 fjalë duhet të jetë dy herë më i madh se madhësia e shkronjave e përdorur për titullin e artikullit. Për materialet video, teksti duhet të zërë të paktën 20 për qind të ekranit dhe të shfaqet për të paktën 15 sekonda.
Goditja ndaj Radios Evropa e Lirë ka ngritur shqetësime se qeveria ruse mund të mbyllë operacionet e saj brenda Rusisë.
“Nëse qeveria ruselëviz drejt mbylljes me forcë të Radios Evropa e Lirë, ne do të përgjigjemi”, tha Price, pa specifikuar se çfarë veprimi mund të ndërmerret.
Radio Evropa e Lirë është një korporatë e pavarur jofitimprurëse që financohet nga Kongresi i SHBA-së.
Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly tha se, “Ne nuk do të lejojmë Roskomnadzor dhe Kremlinin të marrin vendime editoriale për audiencat tona në Rusi”.
Javët e fundit, Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka ngritur çështjen e Radios Evropa e Lirë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të qenë mbështetës dhe për të gjetur një zgjidhje. Në fund të fundit, Moska po bën atë që Moska do të bëjë, por ne jemi duke u përpjekur të sigurohemi që të paktën në disa mënyra mund të jemi mbështetës dhe të dobishëm”, tha Blinken.