ShBA merr vendim t’ua ndalojë abortin grave

Miliona gra në Shtetet e Bashkuara humbin të drejtën ligjore për të abortuar, pas një vendimi historik të Gjykatës së Lartë. Institucioni më i lartë i drejtësisë në SHBA rrëzoi vendimin e marrë 50 vite më parë për legalizimin e aborteve. Vendimi u bë publik disa javë më parë, për shkak të rrjedhjes së paprecedentë të dokumenteve të gjykatës.

Marketing

Vendimi do të transformojë totalisht të drejtat e abortit në SHBA, pasi tashmë shtetet individuale kanë të drejtë që ta ndalojnë plotësisht këtë procedurë në spitalet e tyre. Sipas parashikimeve, gjysma e shteteve amerikane mendohet se do të marrin masa kufizuese pas këtij vendimi. 13 prej tyre kanë miratuar tashmë ligje që e ndalojnë abortin si procedurë të jashtëligjshme, menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lartë.

Sipas Planned Parenthood, një organizatë shëndetësore amerikane, e drejta e abortit vlerësohet se do t’u hiqet 36 milionë grave.

Gjykata shqyrtoi një çështje që kërkonte shfuqizimin e vendimit të shtetit Misisipi për të ndaluar abortin pas javës së 15-të të shtatzënisë. Por shumica e gjyqtarëve (6-3) votuan në favor të shtetit në fjalë, duke mos e konsideruar abortin si të drejtë kushtetuese.

“Ne vendosim që autoritet rregullator për abortin duhet t’u kthehet njerëzve dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur”, thuhet në një pjesë të vendimit.

Në disa shtete, Guvernatorët e zgjedhur nga Partia Demokratike, planifikojnë që ta fusin abortin si të drejtë kushtetuese në Kushtetutat e shteteve të tyre, si në Kaliforni, Nju Meksiko dhe Miçigan. Ndërsa Zv.Presidentja Kamala Harris ka nisur takime me prokurorë shtetesh të zgjedhur nga radha e demokratëve për të diskutuar si të mbrohet e drejta e abortit.

Vendimi i shfuqizuar, ishte marrë në vitin 1973, kur Gjykata e Lartë vendosi duke votuar 7-1 se aborti ishte një e drejtë e mbrojtur nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara. Vendimi i atëhershëm u jepte grave amerikane të drejtën për të abortuar brenda 3 muajve të parë të shtatzënisë, por lejonte për kufizime të ndryshme në tre muajt pasardhës, dhe e ndalonte abortin në tremujorin e fundit. /a2cnn