Departamenti Amerikan i Thesarit ka përfshirë në “Listën e zezë” të sanksioneve dy individë dhe pesë subjekte të lidhura me konsorciumin “Intelexa”, duke përfshirë kompaninë “Cytrox AD” me bazë në Maqedoninë e Veriut.
Ata ngarkohen për rolin e tyre në zhvillimin, funksionimin dhe shpërndarjen e teknologjisë komerciale të spiunimit “spyware” që po përdorej për të targetuar amerikanët, duke përfshirë zyrtarë të qeverisë amerikane, gazetarë dhe ekspertë të politikave, përcjell INA.
Vitin e kaluar, SHBA-ja e futi kompaninë maqedonase “Cytrox” në “listën e zezë” dhe i ndaloi kompanitë amerikane të punojnë me të, sepse ajo përbënte kërcënim për “sigurinë kombëtare dhe interesat e politikës së jashtme të SHBA”.
“Përhapja dhe abuzimi i softuerit spiun komercial paraqet rreziqe në rritje të sigurisë për Shtetet e Bashkuara. Aktorët e huaj kanë keqpërdorur një spyware të tillë për të mundësuar abuzime të të drejtave të njeriut”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
“Cytrox AD” është një kompani brenda konsorciumit “Intellexa” dhe vepron si zhvillues i programit të spiunimit “Predator”.
“Cytrox Inc” u shtua në listën e entiteteve të Departamentit të Tregtisë më 18 korrik 2023, për trafikim të shfrytëzimeve kibernetike, të cilat përdoren për të fituar akses në sistemet e informacionit, duke kërcënuar privatësinë dhe sigurinë e individëve dhe organizatave në mbarë botën.