Shekerinska: Drejtësia dhe pajtimi nuk janë ekskluzive, ato përmbushin njëra-tjetrën

Drejtësia dhe pajtimi nuk janë ekskluzive, ato plotësojnë njëra – tjetrën. Porosia të cilën e dërgoi dje kryeministri ishte pikërisht në atë drejtim se këtij shteti i nevojitet drejtësi, deklaroi zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska në lidhje me porosinë e djeshme të kryeministrit Zoran Zaev në fjalimin para deputetëve në Kuvend, ku debatohet për ndryshimet kushtetuese se tani është momenti për pajtim.

Marketing

“Këtë e premtuam dhe për këtë punojmë. Tregojmë se pushteti nuk është ai që vendos se si duhet të funksionojë shteti juridik”, shtoi Shekerinska.

Ajo theksoi se Qeveria nuk përzihet, i respekton të drejtat themelore, por njëkohësisht shteti i ndarë nuk është shtet i cili shkon përpara.

Në pyetjen e gazetarëve se nëse bëhet kompromis me të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit, gjegjësisht qytetarët me votën e tyre do ta dënojnë kryeministrin dhe pushtetin në zgjedhjet e ardhshme, Shekerinska në konferencën për shtyp në të cilën ajo, ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov dhe koordinatori për NATO Stevo Pendarovski informuan për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, theksoi se politikisht më lehtë është të vazhdohet me ndarjet.

“Secili që do ta sulmojë tjetrin politikisht, përfiton, megjithatë treguam edhe në rastin me raportin tonë me fqinjët edhe në lidhje me situatën tonë brenda në vend, se dëshirojmë të interesohemi për interesat shtetërore, e jo për interesat tona partiake”, theksoi Shekerinska.

Ajo shtoi se ka një numër të madh të temave rreth të cilave politikanët mund të kenë dallime, por se ka edhe tema për të cilat është me rëndësi që të shfaqet uniteti.

Tema, shtoi Shekerinska, për të cilën gjithnjë ishin të bashkuar qytetarët, por edhe politikanët, është anëtarësimi i Maqedonisë në BE dhe në NATO.

“Tani është momenti të tregojmë se kur është më rëndë dhe kur është më e rëndësishme, Maqedonia i sjell vendimet e duhura. Por se interesat partiake dhe personale nuk guxojnë të dominojnë. Mendoj se kryeministri ishte shumë i qartë. Hymë në këtë operacion jo që të kemi sukses si personalitete dhe si parti, hymë në gjithë këtë që të ketë sukses shteti ynë”, tha Shekerinska.

Marketing