Zëvendëskryetarja e Qeverisë dhe ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, sot dhe nesër është për vizitë pune në Republikën e Çekisë, ku do të takohet me kolegun e saj, ministrin e Mbrojtjes, Lubomir Metnar. Shekerinska si mysafire nderi do të marrë pjesë edhe në “Ditët e Evropës” të cilat organizohen në Ostrava, ku do të marrin pjesë edhe ministrat e mbrojtjes të vendeve të Grupit të Vishegradit – Çekia, Polonia, Sllovakia dhe Hungaria.
Në takimin me ministrin Metnar, do të bisedohet për bashkëpunimin dypalësh në fushën e mbrojtjes, integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe procesin e inkuadrimit në Aleancën e NATO-s, si dhe mundësitë për bashkëpunim në fushën e industrisë ushtarake. Ministrja Shekerinska do të shprehë falënderim për ratifikimin e përfunduar me sukses të Protokollit inkuadrues nga ana e Parlamentit çek, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.
Maqedonia e Veriut dhe Republika e Çekisë në fushën e mbrojtjes bashkëpunojnë që nga viti 2000, kur është nënshkruar edhe Marrëveshja për bashkëpunim. Republika e Çekisë në vazhdimësi e mbështet anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në BE, ndërsa marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes karakterizohen me takime të shpeshta në nivel më të lartë politik dhe ekspert.