Partia Socialiste i ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Pas mbledhjes se firmave të premten, socialistët e kanë depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor. Pritet qe kjo kërkesë të kalojë nesër ne seance plenare, por kjo do të vendoset sot në konferencën e kryetareve, që do te zhvillojë mbledhjen online.
Shumica socialiste e argumenton kërkesën “bazuar në disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të Nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore”.
Neni 90 i Kushtetutës thekson se:
“Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.”
Kjo është hera e dyte që shumica socialiste kërkon të shkarkojë presidentin Ilir Meta.
Gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu sqaroi se për shkarkimin e Metës duhet të ngrihet një komision parlamentar përpara datës 9 maj. Ligji thotë që një komision parlamentar mund të krijohet deri katër muaj përpara përfundimit të mandatit të një legjislature.
Në rastin aktual legjislatura mbyllet më 9 shtator dhe për rrjedhojë afati i fundit i krijimit të komisionit parlamentar është data 9 maj. Gazetarja Shehu kujtoi se pas punës së komisionit parlamentar opinioni i tij do të diskutohet në Komisionin e Ligjeve, aty ku mund të kërkohet ballafaqimi me Presidentin.
Nga PS është deklaruar se shkarkimi i Metës do të bëhet nga legjislatura aktuale e Kuvendit, mirëpo vulën përfundimtare të shkarkimit të mundshëm të tij do ta vërë Gjykata Kushtetuese.