Shkencëtarët zbulojnë mikroplastikë edhe në re

Rezulton se mikroplastika është kudo rreth nesh, në ushqim, ujë dhe madje edhe në ajër. Tani, shkencëtarët kanë gjetur ekzistencën e tyre edhe në re, duke argumentuar se ato mund të ndikojnë në formimin e tyre dhe klimat lokale në mbarë botën.

Marketing

Në hulumtimin e botuar në revistën Environmental Chemistry Letters, shkencëtarët japonezë u ngjitën në malin Fuji dhe malin Oyama për të mbledhur mostra uji nga mjegulla që mbulon majat, dhe më pas aplikuan teknika të avancuara imazherie në mostrat për të përcaktuar vetitë fizike dhe kimike të tyre.

Ekipi hulumtues identifikoi nëntë lloje të ndryshme polimerësh dhe një lloj gome në mikroplastikën e ajrit, të cilat varionin në madhësi nga 7.1 në 94.6 mikrometra.

Çdo litër uji i testuar përmbante midis 6.7 dhe 13.9 copë plastike.

“Nëse ‘ndotja plastike e ajrit’ nuk trajtohet, ndryshimet klimatike dhe rreziqet ekologjike mund të bëhen realitet, duke shkaktuar dëme të pakthyeshme dhe serioze mjedisore në të ardhmen,” paralajmëron udhëheqësi i kërkimit Hiroshi Okochi nga Universiteti Waseda.

Kur mikroplastikat arrijnë në atmosferën e sipërme dhe ekspozohen ndaj rrezatimit ultravjollcë nga rrezet e diellit, ato degradohen, duke kontribuar në gazrat serrë, tha Okochi.

Termi mikroplastikë i referohet çdo grimce plastike që është më e vogël se 5 milimetra. Ato vijnë nga ujërat e zeza industriale, tekstilet, gomat sintetike të makinave, produkte të kujdesit personal dhe burime të tjera dhe tashmë janë zbuluar në zorrët e peshkut, akullin e Arktikut dhe borën e Pirenejve midis Francës dhe Spanjës.

Marketing