Shkëndija e Erhan Selimit frymon ndryshe, fitore e pastër ndaj Rabotniçkit

Shkëndija ka regjistruar fitoren e parë në sezonin e ri, teksa skuadra kampione e Maqedonisë së Veriut sot nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm, Erhan Selimi, mundi Rabotniçkin me rezultatin 3:0, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra “kuqezi” sot zhvilloi një super ndeshje, ku çështjen e fituesit e zgjodhi që në pjesën e parë, kur edhe shënoi dy gola.

Marketing

Pas asistit të Micit nga e majta, braziliani Zhunior me kokë në minutën e 19-të shënoi golin e parë në rrjetën e Shishkovskit, teksa Armend Alimi në stilin e tij në të 37-tën, me një goditje të fuqishme nga brendia e zonës shënoi edhe golin e dytë për Shkëndijën, që pati një dominim të plotë gjatë 45 minutëshit të parë.

“Kuqezinjtë” e Erhan Selimit diktuan tempon edhe në pjesën e dytë, ndërsa fare në fund pas disa pasimeve të sakta dhe një asisti me kohë të Besart Ibrahimit në zonën kundërshtare, Enur Totre shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e “romantikëve”, për të cilët ishte kjo disfata e katërt nga gjithsej 5 ndeshje, me ç’rast tashmë kjo skuadër mban fenerin në renditjen e përgjithshme të LPFM-së.

Në anën tjetër Shkëndija me 4 pikë aktualisht mban pozitën e 8-të, kuptohet nëse Sileksi do të humbiste ndeshjen deri në fund në transfertën në Çair ndaj Shkupit.