Shkëndija nis përgatitjet pa Hasanin dhe Cuculin

Shkëndija filloi përgatitjet për sezonin e ri, në prag të garimit në eliminatoret e Ligës së Kampionëve. Në grumbullimin e parë të kampionëve në fuqi munguan kapiteni Ferhan Hasani dhe zëvendës kapiteni, Ardian Cuculi. Pjesë e këtij grumbullimi ishin dy përforcimet e reja, Remzifaik Slemani dhe Konstantin Çeshmexhiev, si dhe disa futbollistë të rinj, që vijnë nga skuadra e të rinjëve.

Marketing

Të hënën dhe të martën ekipi i ndarë në dy grupe do të kryejë testimet mjekësore në një ordinancë profesionale në Prishtinë, ndërsa nga e mërkura nis puna me nga dy seanca stërvitore në ditë. E premtja parashihet ditë e lirë për shkak të festës së Bajramit, ndërsa nga e shtuna pritet ngritja e tempos dhe ngarkesës në stërvitje.

Prej 20 qershori deri më 2 korrik ekipi do të qëndrojë në Rogashka Sllatina të Sllovenisë ku do të zhvillohet faza kryesore përgatitore, ndërsa janë paraparë tre deri katër ndeshje kontrolluese. Shkëndija më 19 qershor do të mësojë emrin e rivalit me të cilin do të përballet në xhiron e parë të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve Europian.