Shkëndija mbyll aventurën europiane pa asnjë fitore dhe gol të shënuar

Shkëndija ka mbyllur aventurën europiane në mënyrën më të keqe, që kur se kjo skuadër po na prezanton në Europë nën ëmbrellën e “Ecolog”.

Marketing

4 ndeshje, 4 disfata dhe asnjë gol të shënuar. Vërtetë një gjë të tillë nuk e kishte pritur askush, mirëpo ja që ndodhi, ndërsa e gjithë kjo lë hapësira për ndryshime të mëdha, edhe atë duke filluar që nga kryesia, stafi i trajnerëve dhe disa prej futbollistëve, shkruan “infOSport.mk”.

Pas dy disfatave ndaj skuadrës sllovene të Mura (0:5, 0:1) në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, skuadra tetovare u mund edhe në të dyja ndeshjet e Ligës së Konferencës, këtë herë nga skuadra letoneze e FC Riga.

Pas disfatës 2:0 në Letoni, “kuqezinjtë” sonte në arenën “Todor Proeski” pësuan disfatë 1:0, duke u eliminuar kështu edhe nga Liga e Konferencës. Golin e vetëm për ekipin e FC Riga e realizoi Soisalo në minutën e 52-të, duke i siguruar skuadrës së tij një vend për në turin e tretë të këtij kompeticioni më të ri futbollistik.

Sezon ky për tu harruar nga Shkëndija në Europë, aty ku shpresojmë të shohim një skuadër më ndryshe “kuqezi” sezonin e ardhshëm. (infOSport.mk)