Policia e Sarandës falë ndërhyrjes së tyre, kanë parandaluar përshkallëzimin e një konflikti, që mund të kishte pasoja edhe me jetë. Në pranga është vendosur 37-vjeçari Kristi Çakalli, i cili lëvizte nëpër qytet me armë zjarri me vete.
Burri kishte shkuar në spital me armën e zjarrit dhe teksa kishte pikasur policët, kishte hedhur armën dhe ishte larguar me vrap. Por ai nuk është larguar gjatë dhe është neutralizuar nga autoritetet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i Policisë:
Sarandë
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti me pasoja për jetën.
Vihet në pranga një 37-vjeçar që lëvizte me armë zjarri me vete.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë.
Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, falë ndërhyrjes së shpejtë është bërë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të një konfliktit mes dy shtetasve. Më datë 11.08.2021, është marrë njoftim se dy shtetas kishin pasur një konflikt verbal e më pas fizik.
Nga hetimet e shpejta paraprake rezultoi se shtetasi H. F., që punonte roje në një subjekt, ishte konfliktuar verbalisht e më pas fizikisht, për motive të dobëta, me një 19-vjeçar. Pasi janë dërguar në spital, për mjekim, në ambientet e jashtme të spitalit është afruar shtetasi K. Ç., i cili ishte thirrur nga shtetasi H. F., për të vijuar konfliktin.
Falë informacioneve të marra në kohë nga Policia se shtetasi K. Ç. kishte shkuar te spitali dhe me vete mbante një armë zjarri pistoletë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, kanë ndërhyrë profesionalisht në kohë, duke bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e shtetasit K. Ç., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili kur ka parë shërbimet e Policisë ka tentuar të largohet dhe ka hedhur në tokë armën e zjarrit.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë shtetasi H. F., 58 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje’’ ndaj 19-vjeçarit N. P.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme hetimore.