Shkolla “Hasan Prishtina” në Çair me dhomë senzorike

Nga sot, SHFK “Hasan Prishtina” – Çair disponon me dhomë senzorike të pajisur me një mori materialesh didaktike, elemente senzorike dhe pajisje rekreative – rehabilituese. Ky aktivitet u realizua në kuadër të Projektit “Bëhu IN, Bëhu Inkluziv, Bëhu i gjithëpërfshirë”, që u financua nga Bashkimi Evropian dhe paraqet edhe një aktivitet në drejtim të përmirësimit të gjithëpërfshirjes në shkollat fillore në shtet.

Marketing

Projekti “Bëhu IN, Bëhu Inkluziv, Bëhu i gjithëpërfshirë” synon të kontribuojë drejt përfshirjes thelbësore të nxënësve me aftësi të kufizuara në shkollat ​​e rregullta. Këtë projekt e realizon Fondacioni “Hap pas Hapi” së bashku me partnerët e vet Shoqatën për promovim dhe zhvilllim të shoqërisë gjithëpërfshirëse “Inkluziva” dhe Shoqatën për ofrim të shërbimeve personave me aftësi të kufizuar “Handimak” ndërsa realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

„Si pjesë të këtij projekti, shpërndajmë bursa për nxënësit me aftësi të kufizuar, mbështesim arsimtarët, ekipet inkluzive dhe asisitentët arsimorë përmes trajnimeve për zhvillim profesional, sigurojmë mbështetje tutoriale për bursistët tanë ndërsa punojmë edhe në përmirësimin e qasshmërisë dhe gjithëpërfshirjes në shkolla. Në këtë drejtim është edhe ky aktivitet i sotëm, pajisja e një dhome senzorike e cila do të kontribuojë që çdo fëmijë të ketë të drejtën e arsimimit kualitativ.”, theksoi Adem Idrizi nga Shoqata për ofrim të shërbimeve personave me aftësi të kufizuara “Handimak”.

Kjo dhomë senzorike paraqet një hapsirë të përgatitur posaçërisht për të mbështetur nxënësit me dhe pa aftësi të kufizuar në përvetësimin e qëllimëve arsimore. Në SHFK “Hasan Prishtina” – Çair mësojnë më se 1100 nxënës nga të cilët 22 me aftësi të kufizuar që do të kenë përfitim të drejtpërdrejtë nga dhoma senzorike.

“Komuna e Çairit angazhohet për të përmirësuar kushtet për mësim të të gjithë nxënësve në shkollat komunale përmes investimit të vazhdueshëm në shkolla, përmirësimit të qasjeve deri te shkollat dhe brenda tyre, gjetjes së mënyrave për përmirësim të gatishmërisë së stafit arsimorë dhe sigurimit të kushteve për arsim gjithëpërfshirës. Falënderime i shprehim donatorit, Bashkimit Evropian dhe Projektit “Bëhu IN, Bëhu Inkluziv, Bëhu i gjithëpërfshirë” sepse që nga sot në këtë hapsirë fëmijët me zhvillim tipik dhe atipik, të mbështetur nga shërbimi profesional, do të kenë mundësinë të punojnë në arritjen e potencialit të tyre arsimorë.”, deklaroi Sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzadi.

Drejtoresha e SHFK “Hasan Prishtina” – Çair, Esma Fazlija theksoi se kjo dhomë senzorike është e pajisur me elemente që janë shumë të dobishme për nxënësit me aftësi të kufizuara intelektuale, me aftësi të kufizuara të kombinuara, nxënësit e spektrit autik, me ADHD etj. dhe paraqet një hap përpara drejt ndërtimit të një klime gjithëpërfshirëse në shkollë.