Në qendër të Shkupit, sonte po zhvillohet Marsh protestues për ajër të pastër “Revolucioni i Gjelbër”, përmes të cilit nga institucionet kompetente kërkohet efikasitet në luftën kundër ajrit të ndotur.
Organizator i këtij Marshi janë aktivistët qytetar nga Shkupi, Manastiri, Tetova, Gostivari, Strumica, Novosella, Struga, Ohri dhe qytete e vendbanime tjera.
Numri i kërkesave të tyre arrin në 250 dhe të gjitha kanë të bëjnë me ekologjinë, gjegjësisht me institucionet adekuate, të cilët duhet t’i përmbushin kërkesat në afatet konkrete. Kjo protestë filloi nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH). Aktivistët ekologjikë presin që sonte të arrihet bashkim, siç theksuan ata për ardhmëri më të mirë të fëmijëve të tyre.
Si pjesë e 12 pikave të nxehta ekologjike, ata e theksuan problemin me mbetjet kimike në fabrikën e Ohisit, e cila sipas tyre është një lloj i bombës bërthamore, në vetëm katër kilometra prej Shkupit. Rreth kësaj çështje shumë të rëndësishme, sipas aktivistëve ekologjikë, të gjithë qeveritë e tanishme kanë treguar neglizhencë.